LDK synon votat e Dukagjinit duke ndërruar qëndrimin për autostradën

Lidhja Demokratike e Kosovës, në prag të zgjedhjeve ka ndrruar qëndrimin për ndërtimin e autostradës në Dukagjin.

Derisa fillimisht nga ky subjekt ishin deklaruar kundër ndërtiminit të saj, tash ata po llogarisin në votat që mund të marrin në këtë rajon të Kosovës.

Ish-deputeti i kësaj partie Armend Zemaj është përkujdesur që të bëjë pak fushatë me këtë cështje.

Reklama e sponzorizuar

Dje në një emsion në T7 tha se ky subjekt politik e pranon projektin e autostradës, pasi që Kosovës i nevoitet zhvillimi.

“Projekti i Autostradës është i pranueshëm dhe do të ishte zhvillimor për të gjithë zonën dhe është në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Zemaj.

“Kosova meriton zhvillim. LDK nuk është kundër projektit por që është kundër keqpërdorimeve që janë bërë në emër të saj. Kemi folur me ekspertë të kësaj lëmie për financimin e këtij projekti dhe shumë projekteve tjera në Kosovë. Qysh tani kanë dalur keqpërdorimet që janë bërë në emër të këtij projekti”

“Kosovës i duhet zhvillimi. Jo vetëm në Dukagjin por edhe në pjesë të tjera. Por dihet se çfarë kanë bërë zyrtarë të PDK’së në rrethrrotullime dhe shpronësime. Sa shumë përfitime kanë bërë. Kanë blerë toka që pritet të shpronësohen. Ne si LDK nuk jemi kundër këtij projekti asesi. Si projekt publik është në interes të qytetarëve të Kosovës”, tha Zemaj mbrëmë në T7.

Por një ditë më heret kolegu I tij partiak, Arbën Gashi tha se ishin kundër ndërtimit të autostradës për Dukagjin. Ai në Klan Kosova thoshte se autostrada ka kosto të lartë.

Në muajin prill të këtij viti, ish-shefi i deputetëve të kësaj partie në parlament, Avdullah Hoti pati thënë se fizibiliteti që i ishte bërë më herët këtij projekti, nga Banka evropiane për rindërtim e zhvillim, gjeti se nuk ka nevojë për udhën e madhe.

Hoti madje pati përkrahur edhe peticionin e qytetarëve të Rahovecit kundër autostradës.

Hoti e pati nënshkruar peticionin e nisur nga këshilli i qytetarëve të komunës së Rahovecit, duke u kërkuar atyre që të shtonin në pëticion edhe disa qëndrime të kësaj partie.

“Ne do të kërkojmë që peticioni të përfshijë qëndrimin tonin si LDK, se: Para ndërtimit të autostradës, komunat nga bie kjo autostradë kanë prioritete tjera, në vecanti: zgjerimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore nga Radiniqi, impiantet e ujërave të zeza për të mbrojtur Drinin e Bardhë nga Klina deri në Prizren,  funksionalizimi i hekurudhës nga Klina në Prizren”, shkruante Hoti.

Por punën e votave të Dukagjinit para pak ditësh ua përmendi edhe Pal Lekaj.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, dhe nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj para pak ditësh pati akuzuar LDK, PDK dhe Vetëvendosje se po tentojnë të pengojnë ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.

Lekaj, pati thënë se Autostrada e Dukagjinit tashmë ka hyrë në procedura dhe nuk mund të ndalet së ndërtuari.

“Autostrada e Dukagjinit do të jetë referendum për 657 mijë banorët e Dukagjinit. Më vjen keq që LDK-ja, PDK-ja dhe Vetëvendosje janë kundër autostradës së Dukagjinit dhe kundër këtyre banorëve. Le të vijnë ata në terren dhe ta thonë që “jemi kundër” e ta shohin a mund të marrin vota”, tha Lekaj.