Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 25 subjekte politike të cilat hyjnë në garën zgjedhore për të siguruar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha këtyre subjekteve politike, në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1070 kandidatë.
Nga subjektet e certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, 20 janë parti politike dhe iniciativa qytetare: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demoratike e Kosovës (PDK), Lëvizja Vetëvendosje (LV), Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDPT), Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Fjala, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK), Partia e Pavarur Liberale (SLS), Iniciativa Qytetare Gora (GIG), Partia e Re Demokratike (NDS), Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Liberale Egjiptiane (PLE), Partia e Serbëve të Kosovës (PKS), Partia e Bashkuar e Goranëve (JGP), Nisma për Gorën (PG), Lista Serbe, Partia e Veprimit Demokratik (SDA), Partia e Re Rome e Kosovës (KNRP), Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK).
Kurse koalicionet e certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje janë: Koalicioni AAK-PSD (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate), Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë (Nisma, AKR-PD), Koalicioni VAKAT, Koalicioni Liria (Sloboda).
Në kuadër të subjekteve të certifikuara është edhe kandidati i vetëm i pavarur, Esmir Kasi.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se është përmbyllur cikli i certifikimit të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. Ndërkohë, KQZ po vazhdon me certifikimin e vëzhguesve të zgjedhjeve, për çka interesim kanë shprehur organizata vendore, por edhe ndërkombëtare që të përcjellin nga afër procesin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet joserbe. /REL/