Përgjysmimi i numrit të ministrive po vazhdon të jetë premtim i partive politike tash e disa vjet me radhë. Ndonëse deri më tash një gjë e tillë ka mbetur vetëm zotim i politikanëve, LDK-ja dhe LVV-ja kanë ritheksuar së fundi se do ta realizojnë një plan të tillë posa të vijnë në pushtet.
Ani pse tashmë ekziston një draftligj për Qeverinë, përfaqësuesit e shoqërisë civile mbeten skeptikë për jetësimin e këtij opsioni.
Në kuadër të premtimeve parazgjedhore partitë politike kanë nisur të zotohen se do ta zvogëlojnë numrin e ministrive nga 21 sa janë aktualisht në 12 sosh. Dy partitë që në legjislaturën e fundit kanë qenë në opozitë, LDK-ja e LVV-ja, po deklarohen të bindura se ndër veprimet e para që do t’i ndërmarrin, në rast se vijnë në pushtet, do të jetë pikërisht ky hap, zvogëlimi i numrit të dikastereve qeveritare.
Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë në largim, të cilët kanë drejtuar Komisionin për Hartimin e Projektligjit për Qeverinë, kanë thënë se opsioni për funksionimin e Qeverisë me 12 dikastere është propozim i tyre.
Në kuadër të kësaj, ata kanë pohuar se Projektligji për Qeverinë është zgjidhja e plotë e parimeve dhe kufizimeve të qeverisë dhe kulmi i reformës në administratën publike./zeri/