Përse kompanitë teknologjike po punësojnë gjithnjë e më shumë njerëz me autizëm
Sipas punëdhënësve, shkruan “Wall Street Journal”, gjendja e tyre i bën të përsosur për të zhvilluar inteligjenca artificiale dhe machine learning. Kjo është një arritje sociale dhe teknologjike
Sot, njerëzit e prekur nga autizmi, kanë më shumë shpresë për të hyrë në botën e punës. “Wall Street Journal” shkruan se, gjithnjë e më shumë kompani, të specializuara në teknologji të lartë në SHBA, po punësojnë njerëz me këtë çrregullim, pasi gjendja e tyre i bën veçanërisht të përshtatshëm të kryejnë disa detyra në sektorë kyç, si ai i Inteligjencës Artificiale dhe Big Data.
Disa njerëz të prekur nga autizmi sot punojnë për kompani si Microsoft, Ernst & Young, Credit Suisse Group, shumëkombëshen Dell Technologies dhe Dxc Technology, kompani lider në sektorin e shërbimeve IT në nivel botëror.
Një burim i rëndësishëm
Marcia Scheiner, themeluese dhe presidente e Integrate Autism Employment Advidors, një organizatë jofitimprurëse në Nju Jork, që përpiqet të lidhë kompanitë me njerëzit autikë, beson se këta të fundit mund të sjellin një ndihmesë të rëndësishme, veçanërisht në disa sektorë. Dhe punëdhënësit – shpjegon “Wall Street Journal”, janë plotësisht dakord me këtë gjë.
Njerëzit e prekur nga autizmi kanë dhuntinë e një metode arsyetimi analitik, që për shembull përshtatet mjaft mirë me zhvillimin e modeleve të Inteligjencës Artificiale. Disa persona qëndrojnë të përqendruar për shumë orë me radhë, pa u lodhur, apo kryejnë detyra përsëritëse pa e humbur interesin në atë gjë që po bëjnë. Ata mund të jenë shumë të dobishëm – dhe shpesh janë më të mirë se kolegët e tyre – për shembull në sisteme dhe dinamika që përfshijnë tag foto dhe video për të krijuar databaza për algoritmet.
Natyrisht, jo të gjithë punëdhënësit janë të vetëdijshëm për këtë potencial. Për shkak të një paragjykimi të kohës së shkuar, kur bëjnë një intervistë pune me një person të prekur nga autizmi, në shumë raste shohin vetëm vështirësitë e tij në marrëdhëniet me të tjerët. Por, kohët e fundit, falë ndihmës së organizatave si Integrate Autism Employment Advidors, situata po ndryshon. Ernst e Young e Dxc, për shembull, kanë vendosur të eliminojnë intervistën klasike për punë dhe ta zëvendësojnë me teste që vlerësojnë aftësinë e kandidatëve të prekur nga autizmi, që mund të zgjasë edhe për disa javë.
Histori suksesi
Në shumë raste, të dokumentuara nga “Wall Street Journal”, punësimi i një personi të prekur nga autizmi ka qenë një bast i fituar. Në stafin e Ernst e Young janë punësuar 80 persona të prekur nga autizmi. 8 prej tyre kanë një ndihmesë aktive në ndërtimin e rrjeteve nervore, falë të cilave mund të kuptohet, në një kohë të shkurtër, nëse një klient mund të përfitojë nga zbritja nga taksat dhe të realizojë një algoritëm për të automatizuar krijimin e kontratave të konsulencës për grupin. Sipas disa vlerësimeve, falë kësaj strategjie, rrjeti ka kursyer rreth 500 mijë orë punë në vit.
Po aq sukses ka pasur edhe Kenneth Clark Johnson, një nga dy të punësuarit në bankën Credit Suisse, i prekur nga autizmi. Ndër të tjera, Johnson duhet të aplikojë modele të machine learning në email-e për të nxjerrë, për të klasifikuar dhe për të futur të dhëna në një databazë që përdoret nga operatorët financiarë.
Në një email dërguar “Wall Street Journal”, ai shkroi se arrin të punojë shpejt dhe me eficencë dhe për këtë gjë vlerësohet. Rosemary Lissenden, drejtues i departamentit të IT në bankë, konfirmoi se si Johnson dhe kolegu i tij i prekur nga autizmi punojnë intensivisht, qëndrojnë të përqendruar për shumë orë dhe priren të lodhen më pak. Duke u mbështetur në këto rezultate, Credit Suisse ka krijuar një program për të promovuar neurodiversitetin në kompani. 12 persona të rinj të punësuar falë programit tashmë janë praktikantë, me mundësi për t’u punësuar me kohë të papërcaktuar nga banka në të ardhmen e afërt.
Kjo hapje, natyrisht është mjaft e rëndësishme edhe jashtë vendit të punës për arsye që lidhen pak me qëndrimin e palodhshëm. Sipas një studimi në vitin 2015 të kryer nga kërkuesit e Drexel University, 42% e personave amerikanë të prekur nga autizmi dhe me arsim të lartë nuk kishin gjetur një punë, edhe gjashtë vjet pas diplomimit.
Burimi: Wired