Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprat ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Më saktësisht bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Pejë, Sali Berisha.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka pranuar informacione nga viktima, që ka pasqyruar abuzimin e funksioneve gjyqësore, veprime që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si dhe imazhin e sistemit gjyqësor.
“Gjatë procesit të hetimit preliminar janë ndërmarrë masat adekuate për të identifikuar formën e aplikuar më parë të korrupsionit nga i inkriminuari. Në koordinim me Prokurorinë Speciale janë aplikuar praktikat e njohura nga Kodi i Procedurës Penale, duke u mbështetur fuqishëm në një hetim profesional të bazuar në dëshmi”, thuhet në njoftimin nga Policia.
Policia thotë se “gjatë aplikimit të masave hetimore kemi siguruar dyshimin e bazuar se i inkriminuari ka kërkuar realizimin e ofertës, në atë mënyrë që i njëjti kërkon/pranon përfitimin material, kohë më parë dyshohet se janë dorëzuar nga viktima dhe janë pranuar nga i dyshuari i lartshënuar katër mijë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë që mos të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në cilësinë e gjyqtarit”.
Gjatë operacionit policor, të zhvilluar me datën 19 shtator 2019, i inkriminuari ka kërkuar/pranuar shumën prej dymijë eurove, për të përmbyllur ofertën e precizuar në proces për të finalizuar shumën prej gjashtëmijë eurove, në lidhje me lëndën/çështjen penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë.
“Pas arrestimit i dyshuari është kontrolluar në prezencën e avokatit mbrojtës, në zyrën e NJRHKEK-së Pejë, me ç’rast i janë gjetur në xhep paratë dymijë euro, të cilat janë përdorur për aplikimin e masës së fshehtë ‘simulim i veprës së korrupsionit”, thuhet në raport.
Me aprovim verbal të prokurorit, është kontrolluar banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar:
një armë zjarri, tipi Zaza-min, kalibër: 8mm
një karikator dhe dhjetë (10) fishekë të kalibrit 8mm
dhjetëmijë euro (10.000.00) euro
shkresa, aktgjykime dhe proces verbale gjyqësore
“Me urdhër të prokurorit special, i dyshuari është ndaluar në qendër të mbajtjes për 48 orë”, përfundon njoftimi.