Vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer si Përfaqësueses Special për Ballkanin Perëndimor, ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schwarz-Schilling po e quan si tronditje për Bashkimin Evropian i cili tashmë është përqendruar në problemet e veta.
Megjithatë Schilling thotë se ky veprim i SHBA-së duhet të motivojë rajonin e Ballkanit Perëndimor për të gjetur një zgjidhje për problemet që kanë.
Sipas tij Bashkimi Evropian duhet të jetë më energjik në zgjidhjen e problemeve dhe integrimin evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se nisma amerikane në vitet e 90-ta e shtyu rajonin në drejtimin e duhur.
“Përvoja na ka treguar se vetëm zgjidhjet e dakorduara SHBA-Evropë janë të suksesshme dhe të qëndrueshme”, ka thënë Schilling për DW.
Ish-Përfaqësuesit të Lartë për Bosnje e Hercegovinë në Evropë ka edhe të atillë që nuk iu pëlqen iniciativa amerikane.
Megjithatë ai thotë se Washingtoni nuk dëshiron që të lërë rajonin e Ballkanit Perëndimor të bie nën ndikimin e Rusisë dhe sipas Schilling, Trump dëshiron që të shënojë një fitore tjetër para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Teksa flet për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve në baza etnike, Schilling thotë se një rrezik të tillë e kishte paralajmëruar edhe më herët, megjithatë sipas tij Palmer ka sjellë mesazhin në Ballkan se SHBA-ja nuk dëshiron të ketë shtete një etnike.
“Unë e kam paralajmëruar shumë kohë më parë rrezikun e rivlerësimit të kufijve bazuar në kritere etnike. Por Palmer e ka sjellë mesazhin se SHBA’ja nuk dëshiron të shoh shtetet monoetnike në Ballkan”, ka shtuar tutje diplomati gjerman.
Schwarz-Schilling njëjtë sikurse deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të emërojë një të dërguar special për dialogun Prishtinë-Beograd dhe për Ballkanin Perëndimor.
Diplomati gjerman në fund thotë se mbase është koha që serbët në Kosovë të flasin me zërin e vet dhe të mos e presin direktiva nga Beogradi, që flet gjithmonë në emër të serbëve.