Projekte me miliarda do të prezantohen në këtë fushatë parazgjedhore, nga partitë politike që garojnë për zgjedhjet e 6 tetorit.
Ministri i deritashëm i Financave, Bedri Hamza, i PDK-së, thotë se buxheti për vitin 2020, i paraparë nga kjo parti, do të jetë real dhe i planifikuar mirë. Por, ai heziton të tregojë se çfarë buxheti do t’i prezantohet Qeverisë për vitin e ardhshëm. “Buxheti i Kosovës do të jetë në përputhje me rritjen ekonomike, i kam shifrat, …këto në mënyrë profesionale t’i dhashë sigurisht se detajisht do t’i shpalosim, por nëse thotë dikush 3 miliardë, është e lehtë me thënë tjetri 3.5 e 3.6, …jo mund të thoni 2.7. Ndoshta del edhe mbi 3 miliardë, por duhet me pasë kujdes borxhin publik”, tha Bedri Hamza, ministër i Financave në detyrë.
Për dallim nga Hamza, ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti i LDK-së, nuk i duket problem të premtojë se nëse partia e tij do të jetë fituese e zgjedhjeve do të ofrojë buxhet të planifikuar prej 3 miliardë eurosh për vitin 2020.
“Jam i bindur që ne do të dorëzojmë një buxhet që kap shifrën 3 miliardë euro, sepse duke luftuar informalitetin, lehtësisht mund të dorëzohet një buxhet prej 3 miliardë euro dhe pa ju rënë në qafë fare bizneseve, përkundrazi vetëm duke kriju një ambient ku të gjitha bizneset ndihen të barabarta”, thotë për RTK-në, Avdullah Hoti, ish-ministër i Financave nga LDK-ja. Një tjetër ish-ministër i Financave, Haki Shatri i AAK-së, thotë se buxheti nuk mund të rritet në 3 miliardë euro për vitin e ardhshëm.
“Meqenëse po kërkoni mendim profesional jopolitik, po du me ditë. Këtu ka numra. a kanë mendu kufijtë e shpenzimet apo të hyrat. Përndryshe, kufijtë e planifikuar nuk mund të rriten nga 1.950 milionë euro në 3 miliardë se i bie 33 % me rritë, por me luftim të evazionit fiskal, mund të rritet buxheti për 250 milionë euro të reja, pa shtuar normat e tatimeve”, tha Haki Shatri, ish-ministri i Financave nga AAK-ja.
Kurse, ekonomisti Hekuran Murati, i cili së fundi u bë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk dëshiron të flasë për shifra të tilla. Thotë se buxheti duhet të planifikohet siç duhet.
“Për çudi buxheti 3 miliardë mund të arrihet nëse rriten tatimet, nuk është esenca me mbërri shifrën 3 miliardë, por duhet të dihet për çka po i shpenzon ato 3 miliardë. Së pari duhet me u ulë, kushdo që është në koalicion, edhe me shiku çka po dojmë me ba, ku po dojmë m’i shpenzu paratë dhe tek pastaj e dimë ku mund të mbërrijmë, aktualisht duhet të punojmë me buxhetin ekzistues”, thotë Hekuran Murati, ekonomist i Vetëvendosjes.
Ndryshe buxheti i këtij viti ishte 2.3 miliardë euro.