Prokuroria e Speciale e Kosovës gjatë ditës së sotme ka ngritur akatakuzë ndaj dhjetë personave të ngarkuar me veprat penale si krim i organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, si dhe shmangie nga tatimi, përcjell Buletini Ekonomik.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër dhjetë personave me inicialet Xh.S., B.S., A.N., G.K., J.B., F.B., F.B., H.B., D.S., dhe Q.I. pasi të njëjtit dyshohen se gjatë periudhës kohore 03.10.2018 e deri më 09.02.2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga i pandehuri Xh. S., të pandehurit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar” lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, duke transportuar qindra kilogram marihuanë.
Ndërkaq, i pandehuri B.S., me qëllim që t’i shmanget pagesës së tatimeve apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, me paraqitjen e të dhënave të pavërtetuara, duke zhvilluar aktivitetin e tij biznesor në cilësi të personit të autorizuar të biznesit, gjatë periudhës kohore 2014-2018, duke mos i përmbushur në tërësi detyrimet ligjore për dokumentin e shitjeve siç kërkohet me legjislacionin tatimor, rrjedh se ka bërë shmangie nga tatimi duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumën prej 5 mijë e 945 euro e 30 cent. Me këto veprime, sipas Prokurorisë i pandehuri ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 307 paragrafi 1 të KPK-së.
Po ashtu, edhe i pandehuri tjetër me inicialet Q.I., me qëllim që t’i shmanget pagesës së tatimeve, me paraqitjen e të dhënave të pavërtetuara, duke zhvilluar aktivitetin e tij biznesor në cilësi të pronarit të firmës, gjatë periudhës kohore 2014-2018, dhe gjatë aktiviteteve të tij është vërtetuar se të hyrat e deklaruara i ka pasur më të vogla se transaksionet bankare të realizuara nga rrjedh se i njëjti ka bërë shmangie nga tatimi duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumën prej 4 mijë e 783 euro e 1 cent. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 307 paragrafi 1 të KPK-së. /Buletini Ekonomik/