Punëkryerësit e hidrocentraleve dëmtojnë parcelat bujqësore në Shtërpcë

Dhjetëra banorë të fshatit Biti e Poshtme të Komunës së Shtërpcës sërish kanë organizuar një protestë, të mërkurën, për t’i kundërshtuar punimet në ndërtimin e hidrocentraleve në këtë zonë.

Sipas banorëve, përveçse lumi Lepenc po futet nëpër gypa në mënyrë të jashtëligjshme, punëkryerësit po ia dëmtojnë edhe parcelat bujqësore gjatë punimeve.

Reklama e sponzorizuar

Banorët tashmë kanë vendosur çdo ditë të dalin te zona ku po ndërtohen hidrocentralet, derisa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të reflektojë rreth kësaj çështjeje, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas banorëve, së fundi janë dëmtuar edhe disa parcela të mbjella me fasule nga punëkryerësit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prej më shumë se 2 muaj e ka shpërfillur edhe shkresën e Avokatit të Popullit, i cili pati kërkuar të vendosej masë e përkohshme lidhur me çështjen e operimit të hidrocentraleve në Komunën e Shtërpcës.