Muaji gusht i këtij viti, Kosovës i ofroi një deficit më të lartë tregtar sesa gushti i vitit të kaluar, përcjell Buletini Ekonomik.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë që u publikua sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë prej 1.2 për qind në muajin gusht të 2019-tës, në vlerën prej 279.9 milionë eurove, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, me deficitin prej 276,5 milionë eurove.
Mirëpo, njëjtë sikurse edhe muaji korrik edhe gjatë këtij muaji eksporti në vendin tonë është mbuluar nga importi.
Eksporti i mallrave gjatë këtij gushti kishte vlerën e 31,9 milionë eurove, ndërsa importi me 311,8 milionë euro, që cilësohet si një rritje prej 4.7 për qind për eksport si dhe 1.6 për qind për import, gjithmonë duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen e ASK-së rreth eksportit, 34.1 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 12.7 për qind ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 12.5 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 10.9 për qind produktet bimore, 7.9 për qind produktet minerale, 5.8 për qind artikujt e ndryshëm të prodhuar, 3.5 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa tek importi rreth 16.9 për qind e mallrave numërohen produkte minerale, 14.1 për qind ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 10.3 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 9.2 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.6 për qind mjetet e transportit, 6.4 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 6.2 për qind produktet e industrisë kimike etj.
Eksportet e Kosovës për në vendet e BE-së arritën deri në vlerën e 9,1 milionë eurove, ose rreth 28.6% e eksporteve të përgjithshme.
E partnerët kryesorë për eksportin e mallrave nga Kosova për në BE ishin: Gjermania me 7.7%, Britania e Madhe me 3.6% dhe Holanda me 3.4%.
Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 160,0 milionë euro, ose 51.3% e importeve të përgjithshme.
Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania me 12.0%, Greqia me 7.0%, Italia me 6.6%, Bullgaria me 4.1%,Polonia me 3.6% dhe Sllovenia me 3.6%.
Gjithashtu Kosova eksportoi mallra edhe me vendet e CEFTA-s, gjatë gushtit, e të cilat arritën ta kapin shifrën e 13 milionë e 800 mijë eurove, ose 43.3% të eksporteve të përgjithshme.
Partnerët kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria me 18.5%, Maqedonia me 9.9%, Serbia me 8.5% dhe Mali i zi me 4.5%.
Ndërsa, importet nga vendet anëtare të CEFTA-s në muajin gusht arritën në 47,2 milionë euro, ose 15.1% të importeve të përgjithshme.
Dhe vendet me pjesëmarrje më të lartë për import renditen: Shqipëria me 7.1%, Maqedonia me 7.1%, dhe Serbia me vetëm 0.1 %.
Përveç vendeve të BE-së dhe atyre anëtare në CEFTA, Kosova po ashtu eksportoi mallra edhe me vendet e tjera të botës si: India dhe Zvicra, eksport ky që arriti vlerën e 8,9 milionë eurove.
E përpos eksportit prej 8.9 milionë eurove, importi me vende të tjera arriti një shumë më të lartë për rreth 11 milionë euro më shumë sesa eksporti. Importi në Kosovë nga vendet e tjera si Turqia dhe Kina arriti deri në 104. 5 milionë euro. /Buletini Ekonomik/