Sektori privat, edhe pse sipas statistikave është punëdhënësi më i madh në Kosovë, mbetet nën hijen e sektorit publik, i cili vazhdon të jetë më i pëlqyer për punëkërkuesit.
Pagat më të larta, trajtimi i punëtorëve si dhe kontratat më të favorshme, janë disa nga arsyet që ceken nga punëkërkues dhe përfaqësues të bizneseve, si elemente që bëjnë sektorin publik më të pëlqyer për tu punësuar.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja pse sektori publik është më atraktiv për fuqinë punëtore është siguria ekonomike dhe ndjenja që njerëzit krijojnë se kanë një vend pune më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.
Sipas tij, në sektorin publik mbrojtja e të punësuarve është më e madhe dhe rrjedhimisht njerëzit orientohen të punojnë aty.
“Pagat në sektorin publik janë rritur përgjatë viteve në mënyrë signifikante, ashtu që pastaj të gjithë, qofshin ata të punësuar ekzistues në sektorin publik ose të punësuarit e mundshëm, pra të sapo të diplomuarit e kanë parë vetëm sektorin publik si mundësi për të zhvilluar karrierën e tyre. Kjo është kundërshtim ndoshta me të gjitha praktikat e tjera ndërkombëtare ku zakonisht sektori privat është ai që ofron kushte më të mira dhe mundësi më të mëdha për zhvillim të karrierës dhe avancim të të punësuarve”, thotë Zeka. EMBED SHPËRNDAJE
Të rinjtë duan punësim në sektorin publik
Adnan Selimi i cili është në kërkim të një vendi pune, thotë se preferon sektorin publik për punësim dhe jo atë privat. Sipas tij, janë shumë arsye që puna në sektorin publik është më atraktive.
“Sektori publik respekton Ligjin e punës, nuk shkel të drejtat e punëtorëve, po ashtu pagat janë më të larta, orari i punës është i rregullt 8 orë dhe jo 12 e 13 orë sa punohet në sektorin privat. Të gjitha këto më bëjnë të preferoj punësimin në sektorin publik”, thotë ai.
Ngjashëm shprehet edhe një qytetar tjetër, me emrin Hysni Nimani.
“Sektori privat nuk mbron punëtorët, kushtet e punës nuk janë të mira, nuk ka siguri financiare, nuk ka kontrata pune dhe të largojnë nga puna kurdo që ata duan”, thotë ai.
Nga hulumtimet e bëra nga përfaqësues të cilët mbrojnë të drejtat e punëtorëve ishte theksuar se sektori privat është shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 85 mijë qytetarë janë të punësuar në sektorin publik, kurse në sektorin privat janë të punësuar rreth 250 mijë punëtorë.
Dallimet sa u përket kushteve të punës ne mes sektorit privat dhe atij publik janë të mëdha duke filluar nga pagat. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 384 euro, ndërsa në sektorin publik paga mesatare është rreth 500 euro.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka shton se sektori publik e ka shfrytëzuar mundësinë e ngritjes së pagave edhe për sigurimin e pushtetit, gjë që siç thotë ai, ka ndikuar në vendimet e shpeshta për ngritje të pagave.
Ai thotë se me para të sektorit privat që kontribuojnë në mbushjen e arkës së shtetit, sektorit publik u është mundësuar rritja e pagave. Duke rritur pagat në sektorin publik, thotë Zeka, janë shkaktuar dëme për sektorin privat i cili, sipas tij, edhe ashtu ka vështirësi për gjetjen adekuate të fuqisë punëtore.
“Pavarësisht rekomandimeve tona si Odë Ekonomike Amerikane dhe mekanizmave ndërkombëtar se kjo mund të ndikojë në thellim të deficitit buxhetor, janë rritur pagat në sektorin publik. Fatura e sotme për paga është e madhe”, thotë Zeka.
Buxheti i Kosovës për vitin 2019 kap shumën në 2.3 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi 600 milionë euro janë për kategorinë paga dhe mëditje.
Papunësia në Kosovë sipas të dhënave zyrtare është 29.6 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.4 për qind. Nga kjo shifër mbi 19 për qind e të papunëve janë persona që kanë përfunduar arsimin terciar.