Shpresat për trajtimin e fëmijëve lëmoshëkërkues Komuna e Prishtinës i vë te një OJQ

Në sheshet dhe rrugët kryesore të kryeqytetit përveç qytetarëve që kalojnë përditë, vërehen edhe fëmijë të moshave të ndryshme që kërkojnë lëmoshë.

Këtë veprimtari ata e zhvillojnë në mënyra të ndryshme, disa duke kërkuar para rrugëve e të tjerë duke pastruar vetura, raporton KTV.

Për qytetarët kjo dukuri është shqetësuese dhe se ky, është një problem që duhet të trajtuar e kontrolluar me kujdes.

Reklama e sponzorizuar

Rreth një javë më parë, drejtoria për mirëqenie sociale në komunën e Prishtinës, nënshkroi një marrëveshje me organizatën ‘’Terre des hommes’’.

Në këtë marrëveshje mes komunës dhe organizatës, përfshihet ndërtimi i një qendre për trajtimin e fëmijëve të abuzuar seksualisht dhe ata në situatë rruge.

Dren Kukaj, drejtor i drejtorisë për mirëqenie sociale, tha se fëmijët në këtë situatë nuk do të largohen plotësisht nga rruga, derisa trajtimi i tyre të bëhet me kujdes, për t’i integruar ata në shoqëri, përmes kësaj qendre.

Ndërsa, koordinatorja e projektit për mbrojtjen e fëmijëve nga organizata ‘’Terre des hommes’’, tha se për këtë vit, ende nuk ka një numër të saktë të fëmijëve në situatë rruge.

Mirëpo, theksoi se vëzhgime të tilla për evidentimin e fëmijëve në situatë rruge janë bërë gjatë vitit të kaluar.

Zana Shabani, koordinatore e projektit për mbrojtjen e fëmijëve në këtë organizatë tha se prania e këtyre fëmijëve në rrugë apo edhe në vende të tjera pa shoqërimin e personave madhorë, i vë ata në qendër të rrezikut që të abuzohen në forma të ndryshme nga persona të tjerë.

Ajo shton se Ligji për Mbrojtjen e fëmijëve mund të ndihmojë sado pak që të ulet numri i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në rrugët e Kosovës.