Tridhjetë e tetë muaj janë bërë prej kur Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka ngritur aktakuzë në rastin “Stenta”, ku të akuzuar janë mbi 60 persona. Për arsye praktike, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka ndarë rastin në tri pjesë. Gjykimi për “Stenta 1” në shkallën e parë ka përfunduar. Gjykimi për të akuzuarit në “Stenta 2” është duke vazhduar, ndërsa të akuzuarit në “Stenta 3” e kanë përfunduar ligjërisht vetëm seancën e parë, shkruan sot Koha Ditore.
Në procesin “Stenta 3” të akuzuar janë vetëm zyrtarët e spitaleve private dhe bizneset. Janë mbajtur disa seanca, por procesi është kthyer në pikën zero për shkak të pretendimeve të Gjykatës se aktakuza duhet të plotësohet e precizohet. Aktualisht pas afro shtatë vjetëve prej kur kanë nisur hetimet, dhe tre vjet prej kur është ngritur aktakuza në këtë proces, e përfunduar konsiderohet vetëm seanca e parë.
Muaj me parë është mbajtur për të satën herë seanca fillestare në këtë rast. Mbrojtja në afatin 30-ditor, siç e parasheh ligji, ka kundërshtuar aktakuzën.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë kërkesën e palëve për hedhje të aktakuzës. Aktvendimi është apeluar në Gjykatën e Apelit. Kjo gjykatë e ka aprovuar kërkesën e mbrojtësve. Lëndën e ka kthyer në rivendosje në shkallën e parë.