Mundësia e falimentimit të kompanisë ajrore “Adria Airways” ka krijuar probleme edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Të martën, por edhe ditët e kaluara, janë anuluar së paku 3 fluturime nga Prishtina drejt Lubjanës, raporton KTV.
Kompania sllovene po përjeton krizë financiare, çka mund ta çojë drejt falimentimit, në mungesë të ndonjë investitori potencial.
Udhëtarët e kësaj kompanie thanë se për anulimin e fluturimeve nuk u lajmëruan paraprakisht nga askush.
Ndërsa për ta u tha se do të bëhet një zgjidhje nga kompania sllovene.
“Adria Airways” ka këshilluar udhëtarët e saj që të verifikojnë transportuesin e tyre përpara se të arrijnë në aeroport dhe të kontaktojnë zyrat e tyre të shitjes nëse fluturimi i tyre është me këtë kompani.
Për dy ditët në vazhdim, sipas zyrtarëve të kompanisë, do të bëhet sistemimi i udhëtarëve në agjencitë e tjera, mirëpo nuk kanë sqaruar se çka do të ndodhë më pas.
E edhe përkundër paralajmërimit të kompanisë për sistemim, udhëtarët u desh të ktheheshin prapa, në pamundësi për të fluturuar gjatë ditës.