Gati gjysmë milioni euro i ka kushtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), kompensimi që ua ka bërë personave të paraburgosur, apo që kanë qenë në vuajtje të dënimit për vepra të ndryshme penale, por të cilët më pas janë shpallur të pafajshëm.
Vetëm për vitin 2019, shumën prej 366 mijë euro, KGJK-ja ua ka kompensuar gjithsej 185 personave.
Një shifër e tillë, është bërë e ditur në mbledhjen e së mërkurës, në të cilën, një shqetësim të tillë e ka ngritur Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë takim është diskutuar lidhur me ngritjen e numrit të personave që KGJK-ja i ka kompensuar ata që janë mbajtur në paraburgim, apo në vuajtje të dënimit, e që më vonë ka rezultuar të jenë të pafajshëm.
Kryetari i kësaj Asambleje, gjyqtari Bashkim Hyseni, ka thënë se ka një dinamikë të rritjes së vazhdueshme të numrit të personave që KGJK kompenson vit pas viti, për shkak të mbajtjes në paraburgim të personave që më pas rezulton të jenë të pafajshëm.
Sipas Hysenit, përderisa në vitin 2004, kishte vetëm 14 persona, me rreth 31.000 euro kompensim, tani sipas tij, janë 185 persona, me rreth 366.000 euro kompensim.
Hyseni ka kërkuar nga gjyqtarët që në këto raste të jenë më të vëmendshëm dhe në secilin rast të bëjnë një vlerësim më serioz dhe të gjithanshëm.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka thënë se nuk e din se cili është mekanizmi se si të veprohet në këtë situatë, por ai ka shprehur apel të përgjithshëm që gjyqtarët të kenë kujdes në raste të tilla.
Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj ka thënë se gjyqtarët duhet të përdorin sa më shumë masat e tjera alternative të sigurisë së pranisë së personit në procedurë penale, derisa ka kërkuar nga kryetarët e gjykatave që për këtë çështje të bisedohet edhe nëpër kolegjiume.
Mos syçelëti të gjyqtarëve, e ka cilësuar këtë dukuri, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i cili ka kritikuar qasjen kur pas muajit të parë, paraburgimi vazhdohet edhe për dy muaj të tjerë, sipas tij, pa asnjë provë.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, ka thënë se në këtë numër ka ndikuar edhe rritja e numrit të gjyqtarëve, por që sipas saj, gjyqtarët duhet të kenë guxim profesional kur të vendosin për këto raste.
Ndryshe, dukurinë e rritjes së vazhdueshme të numrit të personave të mbajtur në paraburgim apo vuajtje të dënimit në mënyrë të kundërligjshme e kishte trajtuar emisioni “Betimi për Drejtësi”, pas së cilit kanë ardhur edhe këto reagime.
Më 16 mars të këtij viti, emisioni “Betimi për Drejtësi” kishte shfaqur hulumtimin “Humbja e milionave nga “gabimet” e drejtësisë”.
Në këtë emision, gjykatësi Muhamet Rexha kishte thënë se ai do ta inicionte ngritjen e një çështjeje të tillë në KGJK.
Rexha këtë çështje e ka ngritur në takimin e KGJK-së. të mbajtur më 5 prill 2019, ku ndër të tjera ka kërkuar që kjo çështje të diskutohet edhe në Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës. /BetimipërDrejtësi