Në kohë fushate, Blerim Kuçi, kandidat ky për deputet nga radhët e AAK-së, është shpërblyer me tender në vlerë të 1.7 milion eurove, për rregullimin e rrugës “Brigada 123”, në Suharekë.
Këtë e ka bërë të ditur, Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Therandë përmes një komunikate për media, duke thënë se ajo e ka përcjellur me kujdes kontratën në fjalë me titull “Rregullimi i rrugës Brigada 123 Qender-Suharekë -Sheshi në Suharekë” .
Sipas tyre, takimi për hapjen e ofertave për këtë tender ka qenë më datë 13.08.2019, në të cilin kanë ofertuar 4 Operatorë Ekonomik, ndërsa më datë 04.09.2019 është shpallur edhe fituesi i kësaj kontrate.
Fitues i kësaj kontrate në bazë të deklarimit të tyre, është operatori ekonomik i treti për nga çmimi më i lirë N.P.N. “HIDROTERM”, e që sipas tyre ky OE ishte në pronësi të Blerim Kuçit ndërsa tash është në pronësi të djalit të tij.
Duke i parë kriteret e kërkuara tek kapacitetet teknike dhe profesionale gjatë hapjes së kontratës, menjëherë pothuajse është ditur emri i operatorit ekonomik fitues.
Vetëvendosje në Therandë ka deklaruar se kurdisja e kontratave përmes kritereve për kapacitetet teknike dhe profesionale tashmë është bërë e zakonshme në Komunën e Therandës, pasi një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe tek kontrata për ndërtimin e shtëpisë së kulturës “UKË BYTYQI”. /Buletini Ekonomik/