Në Kosovë vazhdojnë edhe më tej të qarkullojnë barna ilegale, të cilat sipas ligjeve të Kosovës janë të ndaluara të shiten. Qytetarët edhe më tej blejnë barna, të cilat kanë prejardhje nga Serbia e nga shtete tjera, të cilat nuk lejohen në vend, sepse rreziku i përdorimit të këtyre barnave është i lartë, shkruan Gazeta “Zëri”.
Drejtori i Inspektoratit Farmaceutik i KosovësShaban Osmanaj, ka thënë për “Zërin” se kanë zhvilluar inspektime në të gjitha komunat e Kosovës, ku kanë kontrolluar nëse barnatoret janë duke shitur barna ilegale.
Ai ka bërë të ditur se barnat, të cilave nuk u dihet natyra e transportit, janë të rrezikshme për qytetarët, pasi që nuk dihet se në çfarë temperature kanë qenë ato gjatë transportimit.
Osmanaj ka deklaruar se gjoba më e lartë për barnatoret që shesin barna ilegale është 1 mijë euro.
Përndryshe, ai i ka treguar edhe disa nga masat të cilat i marrin për ata që shesin barna ilegale në vend.
“Në të gjitha rastet janë konfiskuar ato produkte, lënda i është dorëzuar Policisë, kurse në disa raste tjera është hapur procedura e veçantë për verifikim se nga kanë ardhur ato. Në të gjitha rastet janë ndëshkuar institucionet. Parregullsi ka qenë edhe se në disa barnatore, në të cilat nuk ka qenë prezent farmacisti, siç duhet të jetë konform legjislacionit në fuqi, shërbimi është ofruar qoftë nga një teknik, qoftë nga persona jopërgjegjës. Aty për aty është ndaluar veprimtaria deri në ardhjen e farmacistit”, ka thënë ai.
Osmanaj ka bërë të ditur se kanë hasur edhe në raste ku një barnatoreje më shumë se një herë i kanë gjetur barna ilegale.