Kompania ajrore “Adria Airways” ka njoftuar se zyrtarisht ka bërë kërkesë për falimentim, duke i dhënë fund shërbimeve pas 58 vjetësh që nga formimi.
Në një njoftim të hënën, kompania ka bërë të ditur se ka nisur procedurat e falimentimit në Slloveni. Procedurat e falimentimit janë iniciuar nga menaxhmenti për shkak të problemeve financiare dhe pamundësisë për të paguar punonjësit.
Tani gjykata në Slloveni ka në dispozicion tri ditë për të vendosur për hapjen e procedurave të falimentimit. Kompania ka njoftuar se do të anulojë të gjitha fluturimet.
Lidhur me rastin, ministri slloven për Zhvillim Ekonomik dhe Teknologji, Zdravko Pocivalsek, ka thënë se qeveria po konsideronte krijimin e një kompanie të re kombëtare për të përmirësuar lidhjen ndërkombëtare të Sllovenisë pas dështimit të “Adrias”, shkruan “exyuaviation”.
Në javën e fundit, “Adria” ka anuluar më shumë se 400 fluturime duke prekur më shumë se 15 mijë pasagjerë. Këtu përfshirë edhe fluturimet nga/në Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Kompania tani ka lënë pa punë 558 punëtorë. “Adria Airways” kreu operimin e fundit nga Kopenhaga drejt Lubjanës më 23 shtator.
“Adria Airways” ishte blerë nga fondi me bazë në Munih, “4K Invest” më 2016 për një shifër prej 100 mijë eurosh, përmes degës së vet “AA International Holding”. Nën moton “Ne rregullojmë”, “4K Invest” kishte thënë më 2016 se “‘Adria Airways’ do të mbajë lidhjet e mira për bizneset dhe do të ofrojë çmime atraktive për turistët. Do të vazhdojë të shërbejë në tregjet e Sllovenisë, Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, duke lidhur këto shtete me botën përmes rrjetit ‘Star Alliance’. Ne synojmë të rritemi edhe në Estoni, një treg ku kemi hyrë në nëntor të 2015-s”.
Gjithsesi, që nga ajo kohë, “Adria” la Estoninë dhe në Kosovë pësoi rënie të madhe të shitjes së biletave. Më herët gjatë vitit, fondi tha se s’ka mundësi që të ketë rritje në Slloveni për shkak të tregut të vogël.