Ankesat e 585 nëpunësve civilë për procedura konkurruese brenda shërbimit civil kanë mbetur të pashqyrtuara, për shkak se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës është pa kuorum që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Në KPMSHC kanë thënë se për mënyrën e trajtimit të ankesave të deponuara në kohën kur Këshilli është jofunksional do të vendosin anëtarët e rinj, përgjegjës për përzgjedhjen e të cilëve është Kuvendi i Kosovës.
Legjislatura e kaluar ka zhvilluar disa procedura sa i përket përzgjedhjes së anëtarëve të këtij këshilli, mirëpo votimi i kandidatëve të përzgjedhur në procedura konkurruese nuk ka ndodhur. Procedurat e zhvilluara sipas Rregullores së Kuvendit do të kthehen në pikën zero, shkruan sot “Koha Ditore”.
Bazuar në këtë, Këshilli do të mund të funksionalizohet tek pas konstituimit të Kuvendit të ri dhe zhvillimit të procedurave konkurruese për përzgjedhje, që në afatet më të shpejta mund të përfundojnë brenda dy muajve.
Nëpunësit civilë që janë ankuar në Këshill kanë thënë se partitë politike të pushtetit të kaluar, me qëllim e kanë lënë jofunksional Këshillin, siç janë shprehur për të punësuar militantë të partive të tyre.