Antikorrupsioni dyshon për “kurdisje” në tenderin milionësh të MASHT-it

Agjensia Kundër Korrupsionit (AKK) ka ngritur dyshime serioze për mundësinë e ‘kurdisjes’ së një tenderi milionësh të Ministrisë së Arsimit, e cila udhëhiqet nga ministri në detyrë, Shyqiri Bytyqi.

Sipas opinionit të Antikorrupsionit, në tenderin me titull “Furnizim me inventar në shkollat e arsimit parauniversitar”, disa operatorë ekonomikë u diskriminuan nga Autoriteti Kontraktues, përcjell Buletini Ekonomik.

Agjencia me këtë rast ka bërë të ditur se me verifikimin e njoftimit për kontratën dhe dosjen e tenderit te Sistemi Elektronik i Prokurimit, ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues, në këtë rast i Ministrisë së Arsimit ka paraparë procedurën e hapur për kontratën për furnizim me inventar, me një shumë të parashikuar prej 1 milionë eurosh.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Antikorrupsionit në njoftimin për kontratë është kërkuar që te kapaciteti teknik dhe profesional, operatorët duhet që të dëshmojnë se kanë së paku një mesatare të të punësuarve prej 20 sosh të angazhuar, e që në mesin e tyre një duhet të jetë inxhinier i diplomuar i arkitekturës dhe një inxhinier i industrisë së drurit.

Përveç këtyre, Autoriteti Kontraktues i Ministrisë së Arsimit kishte kërkuar si dëshmi nga operatorët edhe së paku tri kontrata për furnizime të njëjta në tri vitet e fundit, të kenë po ashtu nga një kontratë deri në vlerën e 1 milionë e 500 mijë eurove më herët, si dhe dëshmia e vërtetuar nga ATK-ja për kontratat e punëtorëve.

Kriteret e përmendura më sipër sipas Agjencisë kundër korrupsionit nuk janë në pajtim më dispozitat ligjore për prokurimin publik, më saktësisht sipas nenit 69.

Bazuar në këtë ligj, Antikorrupsioni thekson se Autoriteti Kontraktues mund të kërkojë nga Operatorët në fjalë vetëm minimumin e mesatares së punëtorëve dhe stafit menaxherial për secilin nga tri vitet e fundit, e ku si dëshmi mund të kërkojë një deklaratë apo raport për fuqinë punëtore apo numrin mesatar të personelit udhëheqës në tri vitet e fundit.

Antikorrupsioni për këto shkelje konsideron se një kërkesë e tillë e vendosur nga Autoriteti Kontraktues është diskriminues pasi nuk iu mundëson të gjithë operatorëve tjerë që kanë një numër minimal të fuqisë punëtore të ofertojnë për këtë kontratë.

Po ashtu, kërkesat e tilla e kufizojnë edhe konkurrencën e lirë dhe diskriminojnë operatorët e tjerë ekonomik të cilët kanë një kapacitet të kënaqshëm  teknik dhe profesional. /Buletini Ekonomik/