Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” dhe përfaqësuesit e bizneseve në Ferizaj kanë kritikuar Inspektoratin e Administratës Tatimore të Kosovës me arsyetim se po bëjnë presione të rënda ndaj bizneseve për t’u pajisur me arka fiskale.
Në anën tjetër, sipas tyre, shitësit e arkave fiskale tashmë kanë rritur çmimin e tyre prej 225 në 400 euro. Përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë se nuk janë kundër arkave fiskale, por kundër “monopolit” dhe çmimeve të larta.
Bizneset dhe “Avonet”-i kanë kërkuar nga ATK-ja t’i ndërpresë përkohësisht këto inspektime nëpër biznese derisa të themelohet Qeveria e re, pasi që mandatari i ri që pritet ta udhëheqë Qeverinë e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar që bizneset do të pajisen falas me arka fiskale. Xhemajl Osmani, përfaqësues i një biznesi në Ferizaj, ka thënë se është shqetësuese rritja e çmimit të arkave fiskale dhe më shqetësuese presioni i inspektorëve të ATK-së për t’i blerë ato.
“Ne kemi marrë premtime nga mandatari i ri i Qeverisë së Kosovës se do të pajisemi me arka fiskale pa pagesë nga shteti, ndërkohë është krijuar një monopol në Ferizaj i cili po tenton t’i shesë sa më shpejt arkat gjatë kësaj periudhe kohore derisa ende nuk është themeluar Qeveria e Kosovës. Në këtë proces dyshojmë se kanë lidhshmëri individë të caktuar nëpër institucione publike me monopolin që shesin arka fiskale. Ne nuk jemi kundër arkave fiskale por jemi kundër rritjes së çmimeve të tyre, prandaj kërkojmë që organet kompetente të merren me këtë çështje”, ka thënë Osmani.