Cilat janë tri arbitrazhet ndërkombëtare që mund t’ia hanë 150 milionë euro shtetit të Kosovës?

Ministri në detyrë i ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar punë të vështirë për pasardhësin e tij në këtë dikaster.

Tri arbitrazhe ndërkombëtare e presin Kosovën në muajt në vazhdim që mund ta dëmtojnë buxhetin e shtetit për 150 milionë euro.

Në Debat Plus, Tahiri ka thënë se tri kompani e kanë paditur ministrinë që ai drejton, dy prej të cilave janë nga Kosova, përcjellë Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Bëhet fjalë për hiq më pak sesa biznesmenin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Behxhet Pacollin dhe kompaninë e tij “MabCo Sontructions” e cila ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë.

Padia e kompanisë në pronësi të Pacollit ka të bëjë me rastin e Hotel Grandit, të cilin Pacolli e kishte blerë e më pas i ishte anuluar ky privatizim.

Kjo temë ka qenë një ndër më të komentuarat në vitet e fundit në Kosovë, sa i përket skandaleve të privatizimit në vend.

Padi në Arbitrazh ndaj shtetit të Kosovës ka bërë edhe kompania e ish-zyrtarit të PDK-së, Bedri Selmani. Selmani akuzon shtetin për shkelje të rëndë ligjore të afarizmit të ndërmarrjes, që i është bërë nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përmes ofertimit për dhënien me qera të një pjese të aseteve të “Kosova Petrol”, të cilat, siç pretendon Selmani, nuk ishin as në administrim dhe as në menaxhim të AKP-së.

Kompania e tretë është nga Britania dhe e njëjta ka ushtruar padi për një rast në sektorin minerar. “Ministri i ri duhet të ketë shumë kujdes dhe të angazhoj ekipe të mirëfillta për përballje në arbitrazh me këto raste. Në total këto padi arrijnë në 150 milionë euro”, ka thënë Tahiri. /Buletini Ekonomik/