Cilat monedha falsifikohen më së shumti në Kosovë?

Gjatë aktivitetit të rregullt të institucioneve të ndryshme financiare në Kosovë, janë konfiskuar një pjesë e madhe e kartëmonedhave dhe monedhave të falsifikuara në vend, përcjell Buletini Ekonomik.

Bazuar në raportet e fundit të pranuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019 janë identifikuar një numër prej 656 kartëmonedhash dhe 2 mijë e 184 monedhash të falsifikuara, e të cilat janë tërhequr nga qarkullimi.

Shuma e këtyre kartëmonedhave të falsikuara ishte rreth 65,695.00 euro, ndërkaq shuma e monedhave rreth 3,244.45 euro.

Reklama e sponzorizuar

Kartëmonedhat e falsifikuara euro në Republikën  e Kosovës

Ngjashëm me vitin e kaluar, në gjysmën e parë të vitit 2019 kartëmonedha më e falsifikuar ka qenë ajo e prerjes prej 100 eurove, e cila përbënte rreth 73.3 për qind të të gjithë numrit të kartëmonedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi.

Kurse, denominimet në vlerë prej 500€, 200€ dhe 50€ përbënin rreth 18.6 për qind të të gjithë numrit të kartëmonedhave të falsifikuara, ndërsa pjesa tjetër e denominimeve ishin kryesisht të denominimeve prej 20€, 10€ dhe 5€, e të cilat përbënin rreth 9.5 për qind të të gjithë numrit të kartëmonedhave të falsifikuara. 

Monedhat e falsifikuara euro në Republikën  e Kosovës

Në gjysmën e parë të këtij viti, monedhat më të falsifikuara kanë qenë ato në prerje prej 2€ dhe 1€, të cilat përbënin rreth 90.9 për qind të të gjithë numrit të monedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi.

Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe në gjysmën e parë të vitit 2019, monedha më e falsifikuar ka qenë ajo në prerje prej 2€ e cila përbënte rreth 55.4 për qind të të gjithë numrit të monedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi. /Buletini Ekonomik/