Sipas të dhënave më të fundit nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF), Singapori ka kapërcyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aktualisht renditet si vendi i parë me ekonominë më konkurruese në botë.
Në Raportin Global të Konkurrencës për vitin 2019, WEF mati plot 103 tregues kryesorë, që nga inflacion apo papunësia e deri tek aftësitë teknologjike dhe tarifat tregtare të vendeve, në 141 shtete.
Treguesit kryesorë në raport organizohen në 12 shtylla, që përfshijnë institucionet, stabilitetin makroekonomik dhe shëndetin e ekonomisë. Shtetet e Bashkuara që mbanin vendin e parë në renditjen e vitit 2018, ra në vendin e dytë këtë vit, duke u tejkaluar nga Singapori, megjithëse autorët e raportit theksojnë se pavarësisht kësaj, SHBA mbetet një qendër energjie dhe inovacioni, përcjell Telegrafi.
Amerika regjistroi rezultatin më të lartë në botë në disa nënkategori, duke përfshirë lehtësinë e gjetjes së punonjësve të aftë dhe disponueshmërinë e kapitalit të ndërmarrjes. SHBA gjithashtu u rendit më lart se çdo vend tjetër në shtyllën e dinamizmit të biznesit.
Sidoqoftë, vendi shënoi vlera relativisht të ulëta në disa kategori, me rritjen e tarifave tregtare, rënien e jetëgjatësisë dhe aftësive më të ulëta dixhitale. Kështu Forumi Ekonomik vuri në dukje se jetëgjatësia në SHBA tani është më e ulët se ajo në Kinë.
Singapori, ekonomia më konkurruese në botë, nga ana tjetër, shënoi rritje në sektorin e saj publik, forcën e punës, diversitet dhe infrastrukturë. Edhe për jetëgjatësinë, Singapori u rendit në vendin e parë, me fëmijë të porsalindur që pritet të jetojnë deri në moshën 74 vjeç. Për krahasim, jetëgjatësia në SHBA është 66 vjeç, ndërsa në Kinë 68.
Në renditjen e këtij viti, Hong Kongu, Holanda dhe Zvicra arritën të renditen ndër pesë të parët, por nëse për Holandën dhe Zvicrën rezultati ishte disi i pritshëm, Hong Kongun ka ngjallur diskutime, pasi është renditur 4 vende më lart krahasuar me vitin 2018. Kjo ndoshta për vetë faktin se mbledhja e të dhënave të WEF përfundoi përpara se trazirat politike dhe protestat pro demokracisë të intensifikoheshin.
Në përgjithësi, Azia rezultoi rajoni më konkurrues në botë, i ndjekur nga Evropa dhe Amerika e Veriut. Vlerësimi i konkurrueshmërisë bëhet në bazë pikësh deri në 100 të tilla. Nga 141 vende marrë në shqyrtim, rezultati mesatar i vitit aktual ishte 61 pikë. Singapori i vendit të parë shënoi 84.8 pikë, ndërsa SHBA-ja e vendit të dytë 83.7. Hendeku dhe niveli relativisht i ulët edhe tek vendet e kreut të renditjes, sipas WEF erdhi si pasojë e hendekut të madh ekonomik dhe ngadalësimit të rritjes botërore.
Lista e dhjetë vendeve me ekonomitë më konkurruese në botë janë:
1. Singapori
2. Shtetet e Bashkuara
3. Hong Kongu
4. Holanda
5. Zvicra
6. Japonia
7. Gjermania
8. Suedia
9. Britani e Madhe
10. Danimarka /Telegrafi/