Idriz Hysnejt, drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, i cili është arrestuar javë më parë nga njësitë relevante për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, me autorizim të Prokurorisë kompetente, i është ngritur edhe një aktakuzë tjetër nga Prokuroria e Shtetit, raporton portali “Front Online”.
Hysenaj ishte arrestuar fillimisht për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, përkatësisht siç thuhej në njoftimin e Policisë se për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.
Në aktakuzën e re të Prokurorit të Shtetit, të cilën e posedon “Front Online”, thuhet se nga data 05.08.2019 dhe në vazhdimësi, në fshatin Tërstenik të Komunës së Drenasit, nga pakujdesia e ka ndotur ujin, të cilin familja e ankuesit M.K e përdorë për pije, duke e rrezikuar kështu jetën dhe shëndetin e tyre, në atë mënyrë që gjatë implementimit të projektit për shtrirjen e kanalizimit në fshatin Tërstenik, me numër 611-19-014-521, nga ana e Komunës së Drenasit, i pandehuri Idriz Hysenaj në cilësinë e e drejtorit të Drejtorisë së Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për evitimin e rrjedhjes së ujërave të zeza, të cilat rrjedhin në përroin në afërsi prej 2-3 metra afër pusit të ujit të pijshëm në pronën e të dëmtuarit M.K, me ç’rast ujërat e kanalizimit kanë vërshuar dhe kanë hyrë në pusin e të dëmtuarit, duke e ndotur ujin e pijshëm.
Madje pala e dëmtuar, sipas aktakuzës, ka deklaruar se para tre muajsh ishte bërë kanalizimi i ujërave të zeza të fshatit dhe i gjithë uji i grumbulluar nga kanalizimi i instaluar rrjedh në pronën e tij, ku është shkaktuar edhe ndotja e ujit të pijshëm. Për këtë shkak, siç ka deklaruar pala e dëmtuar disa herë i ka dërguar fëmijët tek mjeku për shkak të ujit të papastër.
Ndërsa i pandehuri ka deklaruar se punimet në ndërtimin e kanalizimit janë duke vazhduar ende, mirëpo qytetarët kanë bërë kyçje pa dhënë leje Komuna, pasi që projekti kryhet në dy faza.