Ekspertë vendorë e ndërkombëtarë do të ekzaminojnë zarfet nga Serbia

Ka arritur në 11 numri i personave të cilët janë pranuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, pasi kanë qenë në kontakt me zarfet me vota, të ardhura nga Serbia.

Gjendja e pacientëve, sipas mjekëve në Klinikën Infektive, është stabile.

Për shkak të mungesës së rezultateve, nuk dihet ende se si erdhi deri te paraqitjet e alergjive te këta persona. Andaj, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se mostrat e këtyre zarfeve do të hetohen nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për të vërtetuar se për çfarë bëhet fjalë.

Reklama e sponzorizuar

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së kësaj klinike, Linda Ajazaj-Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e pacientëve është e mirë dhe janë duke u bërë analizat e nevojshme, për të kuptuar shkakun e shfaqjes së reaksionit alergjik.

“Për momentin gjendja e pacientëve është stabile. Ne i kemi në klinikë 11 pacientë. Mbrëmë vonë është pranuar edhe një rast, nëntë femra dhe dy meshkuj. Janë marrë të gjitha mostrat dhe presimi rezultate. Asgjë nuk mund të themi diçka të detajuara pa pasur rezultate të analizave”, tha Ajazaj- Berisha.

Në anën tjetër, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme, për të zbuluar detajet, se si ndodhi rasti.

Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë së Shtetit, tha për Radion Evropa e Lirë se për vazhdimin e punës së mëtejme, janë duke pritur edhe rezultatet e analizave toksikologjike.

“Sapo e kemi pranuar informatën, prokurori i shteti ka dal në vendin e ngjarjes për t’i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme, hetime. Ndërkaq për pjesën tjetër, për momentin nuk mund të japim informata të tjera. Sapo t’i marrim rezultate e analizave [shëndetësore], atëherë besoj se Prokuroria do të jetë në gjendje që të deklarohet lidhur me ketë çështje”, tha Lutfiu.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informatë shtesë lidhur me hetimet që po zhvillon, derisa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thonë se janë duke pritur autoritetet kompetente që të dalin me përfundimet e tyre lidhur me këtë rast, në mënyrë që më pas, KQZ-ja të vazhdojë punën normale.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin dhe Drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhunin, të cilët e kanë informuar për rezultatet e hetimeve rreth raporteve për helmim të punëtorëve të KQZ-së, të cilët kishin kontakt me zarfet e ardhur prej jashtë Kosovës në objektin e shërbimit të votuesve, ku ishin të vendosura votat e diasporës.

“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë presidenti Thaçi.

Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve. Ekzaminimet, sipas tyre, do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.

Të dielën, 11 persona kërkuan ndihmë mjekësore, pasi teksa ishin duke verifikuar zarfet e votave të ardhura nga Serbia, në duart dhe fytyrën e tyre, u shfaqën shenja të një lloj alergjie.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se për çfarë lloj alergjie bëhet fjalë.