EULEX-i: Shqyrtimi i rasteve të profilit të lartë nga gjyqësori i Kosovës mbetet i ngadaltë

EULEX-i ka vërejtur një trend pozitiv në seancat dëgjimore nëpër gjykata të cilat i ka monitoruar, me një rritje të dukshme të seancave dëgjimore produktive kundrejt atyre joproduktive. Ndërsa ritmi i shqyrtimit të rasteve të profilit të lartë të cilat më parë janë trajtuar nga EULEX-i, në përgjithësi mbetet i ngadaltë.

Kështu u tha me rastin e prezantimit të raportit të EULEX-it para përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit me gjetjet nga monitorimi i rasteve.

Zyra e informimit e EULEX-it përmes një komunikate pë rmedia ka bërë të ditur edhe mbarëvajtjen e takimit dhe ato që janë thënë aty.Kështu, bëhet e ditur se gjatë prezantimit të gjetjeve të këtij raporti, udhëheqësi i Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster ka thënë se EULEX-i ka vërejtur një trend pozitiv nëpër seancat dëgjimore nëpër gjykata të cilat i ka monitoruar, me një rritje të dukshme të seancave dëgjimore produktive kundrejt atyre joproduktive.

Reklama e sponzorizuar

Duke komentuar rreth ritmit të shqyrtimit të rasteve të profilit të lartë të cilat më parë janë trajtuar nga EULEX-i, Van Eck Koster theksoi se ai “në përgjithësi mbetet i ngadaltë”.Gjatë prezantimit të këtij raporti, u.d. shefi i EULEX-it, Bernd Thran, ka thënë se monitorimi i thuktë i rasteve të përzgjedhura ka dëshmuar të jetë një mjet efektiv për vlerësimin e përputhshmërisë së sistemit të drejtësisë vendase me legjislacionin e Kosovës dhe standardet për të drejtat e njeriut.

  “Puna e këtij Misioni në këtë fushë është e trefishtë: së pari, ne i identifikojmë trendet dhe dukuritë që ndikojnë në funksionimin e gjyqësorit; së dyti, ne japim rekomandime të cilat janë të përfshira në raport dhe së treti, aty ku është e mundur, hartojmë dhe zbatojmë projekte në bazë të zbrazëtirave të identifikuara për adresimin e këtyre gjetjeve. Një shembull për këtë është seminari i organizuar kohëve të fundit për fuqizimin e kapaciteteve të prokurorëve specialë dhe zyrtarëve ligjorë për ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit”, ka thënë ai.

Sipas tij, është me rëndësi që EULEX-i vazhdon të punojë krah për krah me institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit ngase kanë synimin e njëjtë: bërjen të qasshëm sistemin e drejtësisë për secilin dhe të besueshëm për qytetarët.Të gjeturat e këtij raporti i ka vlerësuar kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, i cili ka theksuar rëndësinë e faktit se raporti po ashtu përfshinë rekomandime konkrete për mënyrën e trajtimit të sfidave që kanë mbetur.

“Ky është një raport i mirë. Sipas gjetjeve që janë përfshirë aty, shihet se ka progres”, ka thënë Çoçaj.Njësia e EULEX-it për Monitorimin e Rasteve e bën vlerësimin e funksionimit të gjyqësorit të Kosovës në aspektin e përputhshmërive procedurale, ligjore dhe të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit të thuktë sistematik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, përfshirë, rastet e profilit të lartë dhe rastet që më parë janë trajtuar nga EULEX-i.

Ky Mision e monitoron tërë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale, përkatësisht në nivelin e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit.Ndërkaq raporti i prezantuar sot përfshinë një numër të rekomandimeve të drejtpërdrejta për avancimin e sistemit prokurorial të Kosovës.