Informata se punonjësit e parkut arkeologjik “Ulpiana” nuk janë duke i marrë pagat me rregull, nuk është më lajm. Është përsëritje e gjendjes paraprake. Rrogën e parë të këtij viti e kishin marrë tek në mars.
Tash, gjashtë punonjësit ka dy muaj që s’i kanë marrë pagat që burojnë nga kontratat mujore që lidhin me Institutin Arkeologjik të Kosovës. Përderisa në mars të këtij viti me këtë problem Instituti përballej vetëm me “Ulpianën”, tani ky hall është veç një copëz e mozaikut të problemit me të cilin përballet.
Janë tetë lokalitete arkeologjike ku punonjësit e angazhuar nuk janë duke marrë pagat deri në tre muaj. Në disa raste, sikurse ai në “Ulpianë” – që u shpall park arkeologjik në tetor të vitit 2016 – në pjesën e gërmimeve, janë ndalur punimet.
Bëhet fjalë për mbi 50 mijë euro borxhe ndaj punonjësve të angazhuar nëpër lokalitete arkeologjike e ndaj kontraktuesve të tjerë. Për menaxhmentin e IAK-së kjo është një gjendje e jashtëzakonshme. Edhe vitin e kaluar ishin ndalur punimet në disa lokalitete shkaku i borxheve ndaj të angazhuarve në punë.
Bajram Vitija që është punonjës në parkun arkeologjik “Ulpiana” ka thënë se ndodhen në një situatë të keqe.
“Njerëzit janë në atë gjendje sa nuk kanë para për të ardhur në punë”, ka thënë ai.
Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka thënë se punonjësit që kanë punuar në Novobërdë janë tash e tre muaj pa paga. Bëhet fjalë për tetë veta, tre prej tyre rojtarë.
“Pos rojeve punimet janë ndalur pasi jemi pa paga”, ka thënë ai. Sipas tij, po ashtu, tre muaj numërojnë pa paga 23 veta të angazhuar në Kalanë e Prizrenit. /Koha.net/