Deputetët e Kuvendit të Kosovës në muajin shkurt e miratuan në lexim të dytë Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999. Kështu, punonjësit e arsimit për ato vite do të paguhen për punën e tyre në vlerën nga 19 deri në 95 euro në muaj.
Ky lajm i shumëpritur për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta, sipas të parit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Republikës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, do të fillojë të realizohet, së shpejti, duke filluar nga muaji nëntor. Pra, nga muaji nëntor, mësimdhënësit e viteve ’90-ta, do të marrin mjetet e premtuara.
“Jo, ende nuk i kanë marr pagat mësimdhënësit e viteve të ’90-ta. Kjo sepse Departamenti për pensione ka pasur një volum goxha të madh të punëve, derisa vlen të theksohet se ka pasur një kontrollë të rreptë. Kemi marr lajmin se të gjithë ata që kanë aplikuar, pensionet do t’i marrin në muajin nëntor , po ashtu do t’i marrin mjetet në emër të shtesës”, bëri me dije Jasharaj në një prononcim për Gazetën Observer.
Jasharaj, tutje bëri me dije për Gazetën Observer, se duke u bazuar në aplikimin qysh në fillim për pagat e viteve të ’90-ta, kanë qenë diku 9 mijë aplikues, por që ky numër ka pësuar ndryshim.
“Statistikat e para, pra kur është bërë planifikimi i buxhetit për këto paga kanë qenë diku 9 mijë aplikues, derisa tash mund të them se janë diku 7 mijë, duke përfshirë faktin se një numër i tyre nuk janë gjallë. Nga Ministria e Punës, gjegjësisht Departamenti përkatës, janë duke punuar me një ritëm të ngadaltë por shumë të sigurtë…”, tha Jasharaj.
I pyetur se shkak i vonesës a mund të jetë fakti se mund të ketë ‘lista të fryra’, Jasharaj thotë se nuk beson se mund të ndodh një gjë e tillë.
“Duke i njohur mësimdhënësit e asaj kohe nuk besoj se do të ndodh, aq më tepër kur Ministria ka obliguar aplikuesit që t’i kenë dy nënshkrime në vërtetimin që është kërkuar, pra nga drejtori i shkollës dhe drejtoria e Arsimit. Nuk besoj se do të ndodh diçka e tillë”, tha për fund Jasharaj.