Ka vjet që një numër i konsiderueshëm rekomandimesh përsëriten në raportet e përvitshme të Komisionit Evropian (KE) për Kosovën.
Ngjashëm me disa prej raporteve të kaluara, edhe këtë vit Raporti i Vendit për Kosovën, i këtij institucioni të Bashkimit Evropian (BE), ndër të tjera, shpreh shqetësimin për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, nivelin e lartë të përhapjes së korrupsionit, ekonominë joformale e ngecjen në reformën zgjedhore.
Në shumicën e këtyre fushave, sipas raportit, është shënuar përparim i vogël. Ndërsa, shumë prej rekomandimeve, për secilin nga institucionet përgjegjëse mbesin të paadresuara.
Përsëritja e rekomandimeve, për shkak të mosadresimit të tyre nga institucionet, sipas shoqërisë civile, është shqetësuese dhe tregon mungesë serioziteti e përkushtimi.
Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit shtetërorë “duhet t’i marrin me shumë seriozitet kërkesat dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian”, pasi, sipas tij, “pa adresimin e tyre, nuk mund të ketë lëvizje përpara në proceset integruese”.
“Gjuha (e raportit) vazhdon të mbetet e njëjtë, ku drejtësia vuan nga ndikimi i politikës. Ne kemi parë në rezolutën e nëntorit të Parlamentit Evropian që Kosova është një shtet i kapur, ku korrupsioni është i përhapur në të gjitha institucionet. Prapë gjuha sa i përket korrupsionit është e njëjtë në Raportin e Vendit, prandaj asgjë të mos i befasojë udhëheqësit institucionalë. Mirëpo, duhet ta kuptojnë një gjë, pa adresimin e këtyre kërkesave që ka Bashkimi Evropian, ne nuk mund të ecim përpara, as në procesin teknik të vizave, mirëpo as në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, e kjo i bie aplikimi për statusin e vendit kandidat”, thotë ai.