Kemi izoluar vetveten, deshëm ose s’deshëm. Kemi mbyllur të gjitha dyert e penxheret për diplomacinë e botës. Për investitorët e huaj. Për vizitat mirëdashëse të burrështetasve nga vendet që na përkrahën. Me fajin tonë, gjithsesi. Në përmasa të mëdha kemi zbehur entuziazmin e viteve të para të pavarësisë kur miqtë vinin e na ftonin t’ua kthejmë vizitat.
Shkruan: Mehmet Gjata
“Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës, është takuar sot me grupin e studenteve, të cilat do ta përfaqësojnë Kosovën në Dubai, në garën ndërkombëtare të robotikës në mesin e 170 shteteve. Thaçi tha se u dëshiron suksese të tria vajzave atje”.
“Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC)”. Këto, pak a shumë, janë lajmet “e rëndësishme” të takimeve të krerëve tanë institucionalë, që zunë ballinat e portaleve të shumta kosovare gjatë ditës së djeshme.
Ndoshta ka pasur edhe ndonjë takim të këtij rangu dhe të kësaj “rëndësie”, por nuk pati informacion për takime të tjera. Nuk pati asnjë lajm të vetëm të premten, sikundërqë nuk ka pasur me ditë e me muaj të tërë për ndonjë takim me personalitete shtetesh as në rang ministrash ose kryediplomatësh e diplomatësh të tjerë, qofshin edhe të rangut më të ulët.
Ndërkohë, as të mos u shkojë ndër mend se media rastësisht ka lëshuar, nuk ka përcjellë, ndonjë takim të rangut të presidentëve ose të kryeministrave. Por nuk ka në Kosovë takime të këtilla – të këtij niveli. Ka kohë. Muaj.
Ndoshta edhe vite. Nuk vjen asnjë burrështetas nga bota të na vizitojë, as një ministër i Jashtëm, as një i Ekonomisë. Edhe nëse ndodh në ndonjë rast të rrallë ndonjë vizitë e këtyre të fundit, ata më së shumti që bëjnë – vizitojnë ushtarët e tyre në KFOR. Kjo është e vërteta e dhimbshme.
Prandaj, medies i është bërë rutinë t’i plasojë lajme të atilla, që shpeshherë as nuk janë lajme. Lajme kësodore, që në botë nuk zënë vend as te lajmet protokollare. Këto informacione, që në fakt janë ekskluzivisht lajme kurtuazie dhe pa ndonjë rëndësi mediale, janë fare të parëndësishme edhe për publikun.
Por nuk ka të tjera dhe tash për tash as që pritet të ketë. Kemi izoluar vetveten, deshëm ose s’deshëm. Kemi mbyllur të gjitha dyert e penxheret për diplomacinë e botës. Për investitorët e huaj. Për vizitat mirëdashëse të burrështetasve. Me fajin tonë, gjithsesi. Kemi zbehur në përmasa të mëdha entuziazmin e viteve të para të pavarësisë kur vinin miq e na ftonin t’ua kthejmë vizitat. Kur kishim shumë oferta për investime të huaja. Kur në tavolinat e zyrtarëve kosovarë vërshonin kërkesat për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Kur çmimet e ndërmarrjeve të parapara për privatizim, ndër to edhe ajo për Telekomin, peshonin me qindra miliona euro. Sërish me fajin tonë.
Nuk dëgjuam asnjë këshillë. As sugjerimet më mirëdashëse të miqve të Kosovës për të qenë më të vëmendshëm dhe më të përkushtuar në proceset e domosdoshme të krijimit të shtetit. Nuk përfillëm asnjë kërkesë, nga qindra e ndoshta mijëra sosh për ta luftuar korrupsionin, i cili tashmë ka arritur përmasat endemike. Nuk dëgjuam vërejtjet e pareshtura për të moskeqpërdorur paranë publike. Autoritetet kosovare u treguan fare të shurdhëta në vërejtjet dhe në apelet e pandalura për të mos rënë pre e nepotizmit në institucione dhe në sektorin publik.
As nuk u është vënë veshi institucioneve monetare ndërkombëtare në thirrjet e vazhdueshme të tyre që të kihet kujdes me shpenzimin e parasë publike e të buxhetit. Luftimi i krimit të organizuar, një kërkesë kushtëzimi dhe imediate e botës për të na i kthyer të mirat e saj, as nuk u përfill ndonjëherë. Sikundërqë nuk dëgjuam për reformimin e sistemit gjyqësor dhe për moskapjen e shtetit nga ata, të cilët e kanë kapur tash e sa vjet dhe po qeverisin me të aq keq, sa nuk bëhet më.
E izoluam vetveten edhe me mosfinalizimin e procesit të liberalizimit të vizave. Edhe për fajin tonë, që dihet. Po. Faji është ekskluzivisht yni edhe për humbjen e sa e sa rasteve, sikundër edhe këtë të fundit këtyre ditëve për t’u anëtarësuar në INTERPOL. Pastaj në UNESCO dhe jo vetëm. E përjashtuam vetveten nga institucionet ndërkombëtare të arsimit, nga NEQAR-i, pastaj nga ENQA.
Dhe, çka është më keq, vendi po vazhdon të mbahet i izoluar tash për tash nga po këta njerëz, që përveçqë janë dëshmuar të padijshëm, të papotencë dhe pa aftësi politiko-diplomatike e infantilë, gjithsesi, në procesin e deritashëm të shtetformimit të Kosovës po tregohen arrogantë dhe të pasjellshëm me bashkëkombësit e vet, por edhe me qytetarinë e botës. Dhe këta humbës të pashembullt po vazhdojnë të sillen sikundër nuk ka ndodhur asgjë, madje duke tentuar që dështimet eklatante t’i paraqesin si triumfe. Kështu ndodhi me tërheqjen e kërkesës për t’u anëtarësuar në INTERPOL. Përfaqësuesit qeveritarë në krye me kryeqeveritarin dhe kryediplomatin tonë, pa i vrarë ndërgjegjja fare në çastin e fundit, pikërisht në ditën kur kishte filluar Asambleja e Përgjithshme e këtij institucioni kumtuan thuajse me mburrje tërheqjen e kërkesës për anëtarësim. Dhe asnjë fjalë për dështimin. Asnjë fjalë për sjelljen totalisht të papërgjegjshme dhe pa asnjë rezultat të përfaqësive tona diplomatike gjatë një viti të tërë rreth anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Dhe tani, sikur nuk jemi tejngopur nga këto dështime, pa dashje ose me dashje, po vazhdohet agonia jonë. Në vend se të këndellemi dhe ta formojmë qeverinë e re, që po shpresojmë se do të jetë më në fund qeverisje për ndryshim dhe shtetformim kaherë të kërkuar, po zvarritet të realizohet kjo kërkesë e sovranit. Kërkesa për formim më të shpejtë të Qeverisë është edhe e ndërkombëtarëve, e QUINT-it dhe e dashamirësve të Kosovës. Por, si kaherë, po del që s’janë gjë këto kërkesa. Njëherë duhet të rinumërohen 300 e sa vendvotime, pastaj edhe 500 e sa të tjera dhe pastaj kush e di se sa. Duhet plotësuar egoja e sëmurë e humbësve. Duhet, me çdo kusht të kthehen humbësit në Kuvend, në institucione. Zvarritje pas zvarritjeje. Deri kur?
Kjo kolumne është shkruar për Gazetën Zëri