Ministri i Financave Bedri Hamza në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Uashington, së bashku me Ministrin e Financave të Arabisë Saudite, Mohammed Al-Jadaa, kanë nënshkruar Marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite.
Sipas, ministrit Hamza kjo Marrëveshje do të jetë një akt ligjor që do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve, dhe njëherit është një mjet shtesë ligjor për të motivuar dhe përfituar investime të huaja në vendin tonë.
Ministri Bedri Hamza gjatë vizitës në Uashington, gjithashtu u takua edhe me zyrtarët e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, duke përfshirë takimin me zëvendësdrejtorin ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar Tao Zhan, me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtarë për Evropë Poul Thomsen, me zëvendësdrejtorin e bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore Cyril Muller, si dhe me drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Linda Van Gelder.
Me këtë rast ministri Hamza i njoftoi përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për stabilitetin makro- fiskal dhe zhvillim ekonomik të Kosovës, si dhe planet për të ardhmen.
Ndërsa, Zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, e përgëzuan Ministrin Bedri Hamza për progresin e deritanishëm financiar dhe ekonomik të Kosovës, që si rezultat i kësaj Republika e Kosovës tashmë është në top 20 reformatorët më të mëdhenj të Doing Business për këtë vit në raportin e Bankës Botërore.
Ata gjithashtu konfirmuan mbështetjen e mëtutjeshme për Ministrinë e Financave, por edhe për institucionet të tjera në vend.