Mbi 70 për qind e pompave të benzinës në Kosovë nuk kontrollohen nga shteti

Raport i fundit i Auditorit të Përgjithshëm mbi cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë nxjerrë shifra të frikshme sa i përket kontrollit të cilësisë nga institucionet shtetërore, përcjell Buletini Ekonomik.

Vetëm 30 për qind e pikave shitëse të derivateve kontrollohen, ndërkaq 70 për qind, apo në 450 pika shitëse nuk është marrë asnjë mostër për matjen e cilësisë nga inspektorët e tregut në tri vitet e fundit.

“Si rezultat i numrit të ulët të kontrolleve në vitin 2017 dhe 2018, ekziston mundësia që në mesin e mesatarisht 450 pikave shitëse të pa kontrolluara të ketë pasur edhe të tilla me derivate të naftës jokonforme dhe si pasojë ato kanë qarkulluar në tregun e brendshëm pa u vërejtur”, thuhet në raportin “Sistemi i Kontrollit dhe Monitorimit të Cilësisë së Derivateve të Naftës”, të hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Reklama e sponzorizuar

Gjatë vitit 2017, Inspektorati ka arritur të kontrollojë rreth 26% të pikave shitëse të derivateve të naftës, prej të cilave 165 dizel dhe 144 benzinë. Në vitin 2018, janë kontrolluar 213 pika shitëse, ose rreth 33% e pikave shitëse të derivateve të naftës.

“Siç shihet, gjatë këtyre dy viteve numri i kontrolleve të kryera nga Inspektorati në krahasim me numrin e pikave shitëse të derivateve të naftës ka qenë shumë i ulët, pra një pjesë e konsiderueshme e pikave shitëse kanë mbetur pa u kontrolluar fare”, thuhet në raport.

Sipas Inspektoratit, njëri ndër shkaqet kryesore për numrin e ulët të kontrolleve gjatë viteve 2017 dhe 2018 ka qenë numri i kufizuar i inspektorëve.

“Ekziston mundësia që rreth 74% e pikave që nuk janë kontrolluar në vitin 2017 dhe rreth 67% e pikave që nuk janë kontrolluar në vitin 2018 të kenë pasur në posedim derivate të naftës jo-konforme, dhe që ato si rezultat i mungesës së kontrollit kanë qarkulluar në tregun e brendshëm pa u vërejtur”. /Buletini Ekonomik/