Mini Shengeni ballkanik pa Kosovën

Kryeministri Edi Rama do të jetë sot në Novi Sad të Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me presidentin serb, Alexandar Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Në përfundim të takimit dyditor, pritet që të tre liderët të nënshkruajnë një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, që është cilësuar edhe si një Mini Shengen ballkanik.

Kryeministri Rama mbërrin gjatë drekës në qytetin serb, ku do të pritet fillimisht nga Vuçiq e më pas do të ketë edhe një takim me homologun e Maqedonisë së Veriut, Zaev. Ndëkrohë, të enjten, takimet për miratimin e detajeve të fundit të marrëveshjes nisin që herët në mëngjes, ndërsa gjatë drekës të tre liderët do të mbajnë edhe një konferencë për mediat.

Marrëveshja është kundërshtuar vazhdimisht nga Kosova, e cila është e lënë jashtë saj, pasi e konsideron atë si një rikthim të ish-Jugosllavisë, edhe pse kjo është një nismë e mbështetur nga institucionet europiane që e shohin si një fazë të ndërmjetme para integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Reklama e sponzorizuar

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, tha në një intervistë për A2 pak ditë më parë se nuk mund të ketë Mini Shengen ballkanik pa Kosovën. “E them ekskluzivisht për ju që këto gjëra janë diskutuar në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, por unë them se nëse ndodh Mini-Shengeni, atëherë do të jenë të gjitha vendet, pa përjashtim. Edhe po deshi një vend të përjashtojë një vend tjetër, kjo nuk mund të ndodhë. Të jeni të sigurt”, u shpreh ai. /A2CNN/