Katër mijë euro i ka kushtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme krijimi i një ueb-faqe të thjeshtë, përmes të cilës kjo ministri synon të publikojë aktivitete nga organizimi i konferencave të ndryshme.
“Krijimi i uebfaqes së konferencës dhe mirëmbajtja e saj njëvjeqare”, titullohet tenderi që i është dhënë kompanisë “Spinp Agency”, përcjell Buletini Ekonomik.
Saktësisht ky tender kësaj kompanie iu dha për 3 mijë e 970 euro. Sipas njohësve të fushës, ky çmim është gati trefish më i shtrenjtë sesa çmimet aktuale në treg për krijimin e ueb-faqeve.
“Krijimi i një ueb faqeje varion, por zakonisht kushton rreth 1 mijë euro”, ka thënë në kushte anonimiteti një ekspert me përvojë në këtë sektor.
Ndryshe krahas krijimit të kësaj ueb-faqe, kjo ministri ka angazhuar edhe një kompani tjetër për “organizimin e konferencave dhe ngjarjeve të ndryshme për nevoja të MPJ-së” që ka kushtuar mbi 70 mijë euro. /Buletini Ekonomik/