Partitë politike dënohen me 154 mijë euro për shkelje gjatë fushatës

Mbi 154  mijë euro gjoba ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për subjektet politike të cilat kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes gjatë këtyre ditëve të fushatës zgjedhore. Ndërsa, që nga hapja e fushatës e deri më sot PZAP-ja, ka pranuar 121 ankesa, ku prej tyre janë shqyrtuar 60, kurse 61 janë në procedurë të shqyrtimit. Qytetarët e Kosovës të dielën do të dalin për të votuar. Në garë për kryeministër të vendit janë pjesë kandidatë. 

Subjektet politike që janë në garë për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes dhe ankesave të shumta janë gjobitur me mbi 154 mijë euro.

Për nga shifra e gjobave të shqiptuara prinë PDK-ja, pastaj Lista Serbe, e pasuar nga LDK-ja, koalicioni AAK-PSD dhe Nisma Socialdemokrate.

Reklama e sponzorizuar

“Deri më tani Partia Demokratike është gjobitur me 52 mijë e 900 euro, Lidhja Demokratike është me 32 mijë e 700 euro, Lista Serbe me 36 mijë e 100 euro. Pastaj AAK-PSD me 28 mijë e 800 euro, Nisma me 2500 euro, dy subjekte të vogla minoritare njëra është dënuar me 250 euro, ndërsa tjera me 1200 euro. E theksova më herët shuma totale e gjobave deri më tani është 154 mijë e 450 euro”, ka bërë të ditur PZAP.

Ky institucion ka treguar arsyet se për çfarë shkelje janë dënuar subjektet politike që janë në garë. 

“Kryesisht kanë qenë shkelje vendosja e posterave në hapësira publike më së shumti, pastaj përdorimi i fëmijëve gjatë fushatës apo në fushatë, përdorimi i gjuhës së urrejtjes, pastaj shfrytëzimi i pozitës zyrtare për përfitim të votave nga qytetarët, vendosja e tryezave apo tavolinave në sheshe apo në trotuare, pra janë veprime të ndaluara të cilat i kanë shkaktuar subjektet politike dhe nga paneli janë konsideruar si përgjegjëse për këto shkelje edhe u është shqiptuar gjoba”. 

Edhe në këtë fushatë zgjedhore e cila do të përfundojë sot janë shfrytëzuar fëmijët dhe PZAP, ndaj kësaj shkelje ka shqiptuar 16 mijë gjoba, derisa janë pranuar 8 ankesa nga organizatat joqeveritare.

Që nga hapja e fushatës e deri më sot PZAP-ja, ka pranuar 121 ankesa, ku prej tyre janë shqyrtuar 60, kurse 61 janë në procedurë të shqyrtimit.

Kujtojmë se heshtja zgjedhore fillon sonte në ora 00:01 do të thotë më 5 tetor dhe nga kjo kohë duhet të ndalohet çdo aktivitet, çdo fushatë ta quaj kështu lobim apo thirrje të  dikujt për dikë, qoftë subjekti për subjektin, qoftë kandidati për subjektin. 

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen të dielën ndërsa do të garojnë 25 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.

Garues për kryeministër të Kosovës i janë furur, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Fatmir Limaj.

Në listën përfundimtare të votuesve, sipas Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve numri i votuesve është 1,937.868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, pra 136,068 apo 7.02 për qind fletëvotime më pak se votues.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.

Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Më pas, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor. /Monitor.al/