Komuna e Gjilanit dhe kompania e ujësjellësit kanë ndarë 200 mijë euro, të cilat do të shërbejnë për hapjen dhe funksionalizimin e puseve të reja, të cilat do të integrohen në sistemin e ujësjellësit.
Niveli i ujit në Pendën e Përlepnicës ka rënë në 10 metra si pasojë e thatësisë, ndaj ajo do të mbyllet përkohësisht, shkruan sot Koha Ditore.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit që ka mbajtur me anëtarët e Task Forcës për menaxhimin e thatësisë, ka deklaruar se Penda e Përlepnicës nga ku furnizoheshin me ujë të pijshëm shumica e banorëve të Gjilanit do të mbyllet përkohësisht. Ka bërë apel tek qytetarët që të vazhdojnë me kursimin e ujit. “Përndryshe, në mungesë reshjeve mund të mbyllet përkohësisht furnizimi nga Penda e Përlepnicës shkaku i ndotjes”, ka thënë Haziri.
Kurse drejtori i kompanisë së ujësjellësit “Hidromorava”, Muhamed Suliqi, ka deklaruar se ata do të vazhdojnë me reduktimet e ujit dhe se ndarja e mjeteve financiare do të shërbejë për funksionalizimin e puseve të cilat gjenden në hapësirat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe për shpimin e puseve në zonën e “Fidanishtes” për të cilat duhet të kenë një leje nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) pasi prona është nën menaxhimin e tyre.