Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësitin e Krimeve Ekonomike, kanë nisur hetime në Komunën e Ferizajt, Hanin e Elezit, Kaçanik dhe në Shtime, lidhur me gjetjet e raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin e kaluar.
Po ashtu, të mërkurën, edhe organizata joqeveritare “Avonet” nëpërmjet një shkrese zyrtare u ka kërkuar organeve të prokurorisë t’i nisin hetimet lidhur me një varg shkeljesh ligjore për Komunën e Ferizajt, të cilat janë dëshmuar si gjetje nga Auditori i Përgjithshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.
Shukri Jashari, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ka thënë se pas publikimeve të raporteve nga Auditori i Përgjithshëm për komunat e regjionit të Ferizajt kanë filluar menjëherë hetimet në bashkëpunim me Krimet Ekonomike.
“Kemi angazhuar Policinë dhe Krimet Ekonomike, dhe jemi duke bërë hetime për të gjitha komunat e regjionit të Ferizajt, mirëpo për shkak të lëvizjeve dhe transfereve të hetuesve nëpër komuna kemi ngecur pak. Mirëpo, hetimet janë duke u zhvilluar në Komunën e Ferizajt, Hani i Elezit, Kaçanik dhe Shtime. Kemi dhënë autorizimet për t’i hetuar të gjitha rastet që janë publikuar nga Auditori i Përgjithshëm”, ka thënë Jashari. Ai sqaron se Auditori i Përgjithshëm ka publikuar një varg gjetjesh për komunat e regjionit të Ferizajt, mirëpo duhet të dallohen shkeljet procedurale dhe shkeljet e tjera më të rënda.