Reçica fsheh vendimin për “dhuratën” mbi 50 mijë euroshe për dy inxhinierët e Ministrisë

Betim Reçica, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) e cila aktualisht drejtohet nga ministri në largim Pal Lekaj, u ka bërë një “dhuratë” të jashtëligjshme prej më shumë se 50 mijë euro dy inxhiniereve të kësaj ministrie.

Në vendimin numër 8778 i protokolluar më 14.08.2019, e të cilin e ka siguruar “Front Online”, thuhet sekretari i ministrisë ka nxjerr këtë vendim për kompensimin financiar (shtesa mujore në paga) të inxhiniereve në bazë të vendimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës numër 07/29 të datës 08.10.2018.

“Hysen Merovci, inxhinier i ndërtimtarisë dhe Ardian Begaj, inxhinier i ndërtimtarisë kompensohen  me nga 250 euro shtesë në muaj. Obligohet departamenti i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi në mënyrë retroaktive nga 30.07.20108. Inxhinieret që janë punësuar pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi shtesat e i marrin prej datës së hyrjes në punë” thuhet në vendimin e siguruar nga “Front Online”.

Reklama e sponzorizuar

Çka thotë vendimi

Por, vendimi të ka marrë Reçica është në kundërshtim të plotë me vendimin të cilin ai i referohet.

Në vendimin e Qeverisë së datës 31.07.2008, i nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, më saktësisht në pikën dy të tij thuhet se propozimet lidhur me shtesa në paga iniciohen nga zyrtari kryesor administrativ.

Më tutje në pikën e 3 thuhet se Ministria e Shërbimeve Publike (MAP) në konsultim me Ministrinë e Ekonomisë e Financave (MEF) përgatisin listën.

Më tutje në pikën 5 të këtij vendimi thuhet se Ministria e Shërbimeve Publike në bashkëpunim me MEF-in i rekomandojnë Qeverisë dhe pas miratimit nxirret shuma e shtesës.

Më tutje në pikën e shtatë thuhet se Ministria e Administratës Publike nuk do të procedoj ekzekutimin asnjë vendim për shtesa të pagave nëse paraprakisht nuk është shqyrtuar sipas legjislacionit në fuqi.

Reçica e mohon vendimin e vet

Por, në anën tjetër pavarësisht se vendimin e ka marrë vet, sekretari i kësaj ministrie Betim Reçica mohon ta ketë marrë një vendim të tillë.

“Sa i përket këtij vendimi me siguri është ndonjë lajthim, sepse një vendim i tillë nuk është realizuar dhe as qe do te realizohet. Prandaj informacionet e keni te gabuara sa i përket këtij vendimi. Kjo çështje mund verifikohet lehtësisht përmes sistemit te certifikimit ku behet çdo ekzekutim I mjeteve financiarë te MIT. Prandaj informata është tejet lajthitëse dhe e pasakte “thuhet në përgjigjen e Reçicës.

Ai më tutje insiston së asnjë vlerë financiare nuk është realizuar për ketë çështje, dhe as që bëhet fjalë për ndonjë dëme. |

“Të gjitha veprimet administrative karshi obligimeve te MIT janë dhe do te jene ne përputhje me Ligjet ne fuqi, përfshire Kushtetutën e Republikës se Kosove dhe Konventën Evropiane për Të Drejtat e Njeriut.

Prandaj veprimet administrative dhe pergjigjegjesite MIT do t’i realizoj çdo here ne përputhje me ligjet ne fuqi” ka thënë ai.