Shoqëria civile kërkon të ndërpritet ndërtimi i hidrocentraleve, Matoshi thotë se s’mund t’i pezullojë lejet e lëshuara

Shoqëria civile përmes një peticioni të nisur ka dalë kundër hidrocentraleve në gjithë vendin, duke kërkuar që të merren parasysh kërkesat e qytetarëve e të ruhen ujërat në vend. Kundër degradimit ka dalë edhe ministri në largim i Mjedisit, Fatmir Matoshi, por ai ka thënë se për lejet tashmë të dhëna s’mund të marrë vendim për pezullim.

Diana Matoshi-Krasniqi e KDI-së ka thënë në Interaktiv të KTV-së se ideja e peticionit është që të ketë vetëdijesim të gjerë për ruajtjen e ujërave në vend.

“Shpresojmë të ngrisim pak edhe angazhimin e Kuvendit të ardhshëm e Qeverisë së ardhshme që të trajtojmë më seriozisht këtë temë. Kërkojmë të rishikohen të gjitha procedurat se si janë bërë deri tash hidrocentralet pasi kemi gjetur shkelje të shumta nga Deçani në Lepenc”, ka thënë ajo teksa ka shtuar që nuk duhet dhënë as leje në hapësirat ku preken parqet kombëtare në vend.

Reklama e sponzorizuar

Edhe kandidati i Vetëvendosjes për deputet, Hajrulla Çeku ka thënë se qytetarëve, afër të cilëve po ndërtohen hidrocentarelt, po u mohohet e drejta e bukës së gojës. Sipas tij, ka raste të shumta ku nuk dihet a prodhojnë dobi ekonomike hidrocentralet apo jo.

“Ishte vazhdimësi e reagimit të qytetarëve, sidomos në Biti ku po ndërtohet hidrocentrali e argumenti është i thjeshtë nëse mbetemi pa ujë, neve na mohohet e drejta për prodhimtari e bukë të gojës. Kemi marrë pjesë në protestë pasi ata u përballën me dhunë nga policia e Kosovës. Ka shumë raste kur banorët humbin e në dëm të tyre ndërtohen hidrocentralet e përfitojnë individë të caktuar e biznese. S’dihet a prodhojnë dobi ekonomike apo jo”, ka thënë ai.

Çeku ka thënë se “kur të vijmë në pushtet, do të kërkojmë verifikimin e të gjitha dokumentacioneve, jo veç për hidrocentrale”.

Sipas tij, verifikimi do të ndodhë pasi të merret vendim për ndaljen e funksionimit të hidrocentraleve.

Në anën tjetër, ministri Matoshi ka deklaruar se po bëhet një verifikim i të gjithë hidrocentraleve që kanë leje.

“Pajtohem që ballafaqohemi si Kosovë me problem të madh sa i përket çështjes së ujit. Duhet të përsërisim se jemi vendi më i varfër në Evropë për rezervat ujore”, ka thënë ai. “Kërkesat e tilla për ndërprerje të punimeve, sikur edhe në Biti, edhe pse lejet garantojnë që s’do të ketë thatësi, s’mund të marr vendim për pezullim të punës së dikujt që ka marrë lejen për të funksionuar”.

“Më 2 maj, në Komisionin Parlamentar në prezencë të qytetarëve të fshatit Biti kam kërkuar të iniciohet një rezolutë përmes së cilës pezullohen punimet në cilindo hidrocentral. Kam dashur që përgjegjësia të ishte e Kuvendit. Unë s’mundem me një vendim t’i ndali, si ministër. Këto kompani do të padisin, normalisht që do të ketë dëmshpërblim. Shkeljet ligjore duhet t’i hulumtojë dikush”, ka thënë tutje Matoshi.