Është bërë e ditur se Qeveria e Shqipërisë do të japë me qira Syrin e Kaltër, për 600 euro në muaj.
Ministri shqiptar i Mjedisit, Blendi Klosi dhe drejtuesi i Komitetit të Pasurive Nënujore në UNESCO, Auron Tare, deklaruan se pika turistike e Syrit të Kaltër në Delvinë po degradohej. Madje, ata deklaruan se rrezikohet edhe jeta e turistëve si pasojë e keqmenaxhimit.
Gazeta Shqip ka bërë publike dokumentet se si Ministria e Financave ka hapur tenderin për dhënien me qira të kësaj prone për një çmim qesharak, prej 725 mijë lekësh në muaj.
Sipas dokumenteve të Gazetës Shqip, qeveria ka vendosur “dhënien me qira të pasurisë shtetërore, me emërtimin ‘Kabina Druri, 5 copë’, me sipërfaqe totale 470 m2, nga të cilat 220 m2 nën objekt dhe 250 m2 sipërfaqe funksionale, me vendndodhje në Syrin e Kaltër, Delvinë, në administrim të shoqërisë ‘Albturist T.O’ Sha”, përcjell albinfo.ch.