Ambasadorët urdhërohen të mos i pranojnë të deleguarit e Pacollit në misione diplomatike

Drejtoria e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka kërkuar nga ambasadorët e Kosovës që të mos i pranojnë personat e deleguar jashtëligjshëm në misione jashtë vendit, nëpërmjet vendimeve të kryediplomatit në detyrë, Behgjet Pacolli, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo, me qëllimin për ta ruajtur imazhin e shtetit. Është bërë kjo nëpërmjet një e-maili që të premten Drejtoria e ka përcjellë te shefat e misioneve që Kosova i ka nëpër botë.

“Ju informoj se asnjëri nga personat që janë dërguar në misionet që i udhëhiqni nuk është pjesëtar i shërbimit civil, i shërbimit diplomatik dhe as i Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe si të tillë nuk janë subjekt i trajtimit të kornizës ligjore të Republikës së Kosovës dhe as konventave ndërkombëtare për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore”, thuhet në shkresë, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”. “Andaj, në mungesë të ngritjes në gradë përmes formës së rregullt të paraparë me ligj (pra përmes Komisionit për gradim, apo me rekomandim të drejtorit të përgjithshëm) personat që janë dërguar në misione përmes vendimeve të cilat nuk kanë bazë ligjore për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në mision diplomatik, nuk mund dhe nuk duhet të jenë subjekt i trajtimit të protokolleve të ministrive të vendeve pritëse”.

Reklama e sponzorizuar

Në shkresën e Drejtorisë është theksuar se shqetësimi në lidhje me akreditimin e personave që së fundi janë dërguar në misionet diplomatike, e që nuk janë pjesëtarë të shërbimit civil, të atij diplomatik dhe as të Ministrisë së Punëve të Jashtme, është përcjellë me qëllim të mbarëvajtjes së politikës së jashtme të Kosovës dhe të ruajtjes së imazhit shtetëror.