“E kështu do të vijë fundi i botës: jo me një goditje, po me një rënkim”. Me sa duket, thënia e famshme e poetit T. S. Eliot, i përshtatet në mënyrë të përkryer botës së punës dhe pasojave të automatizimit. Vite të tëra duke folur për apokalipsin robotik dhe Inteligjencën Artificial, gati për të pushtuar 50 % të profesioneve (dhe disa pushime nga puna në masë, siç ndodhi në 2016 në shoqërinë kineze FoxConn) na bëjnë të mendojmë që norma e papunësisë në masë do të shfaqet papritmas në një të ardhme të afërt.
Sigurisht, gjërat nuk do të rrjedhin në këtë mënyrë. Kompanitë nuk do t’i lajmërojnë punonjësit brenda një dite, që një Inteligjencë Artificiale apo një robot e ka bërë punën e tyre të panevojshme. Do të jetë një proces gradual. Lajmi i keq është që ky proces ka nisur dhe pasojat e tij po ndihen. Në një studim të kryer nga katër studiues holandezë, dy prej të cilëve nga Universiteti i Utrecht, janë analizuar informacionet që lidhen me automatizimin e punës në 36.490 kompani në Holandë, me një forcë totale pune 5 milionë persona, në një hark kohor nga viti 2000 – 2016. Ndër të dhënat e marra në konsideratë është norma e papunësisë, paga vjetore, subvencionet e paguara etj.
Nga analiza kuptojmë se zëvendësimi i punonjësve nuk ndodh në mënyrën dramatike që e kemi çuar nëpër mend. Nuk ka pushime nga puna në masë, të shpeshta dhe të papritura, por punonjës që janë larguar nga detyrat e tyre, punojnë në pozicione me paga më të ulëta, në disa raste orari i tyre i punës është reduktuar, ose janë detyruar të dalin në pension të parakohshëm.
Në studim lexohet, “automatizimi në kompani (…) shkakton një humbje të pagave që, në harkun kohor të pesë viteve, arrin 11 % të pagës vjetore. Nëse ju duket një shifër jo e lartë, kini parasysh që ky është rezultati mesatar midis të gjithë punonjësve, jo vetëm ata që kanë vuajtur drejtpërdrejt konkurrencën e robotëve dhe Inteligjencave Artificiale.
Jo vetëm: edhe në një vend si Holanda (e cila njihet si një vend me mirëqenie të lartë), shteti është në gjendje të integrojë vetëm pjesërisht humbjet ekonomike të pësuara nga ata që, për shembull, kanë qenë të detyruar të dalin në pension të parakohshëm dhe të heqin dorë nga vite me të ardhura më të larta.
Dëmi i vërtetë i automatizimit nuk është vetëm pushimi nga puna në masë, por erozioni i ngadaltë i pagave, reduktimi i orëve të punës dhe në disa raste, zhvendosja e punëtorëve. Kjo konfirmohet në studimet e ekonomistit James Bessen, nga Universiteti i Bostonit, i cili ka analizuar ndryshimet mes kompanive që kanë adoptuar një politikë automatizimi dhe ato më tradicionale. Në kompanitë që adoptojnë robotët dhe Inteligjencat Artificiale, “norma e braktisjes së punonjësve është 8 % më e lartë”.
Por gjërat nuk janë destinuar të përmirësohen. Sipas një raporti të McKinsey, 75 % e kompanive ka adoptuar tashmë politika për automatizimin e punës ose ka në plan ta bëjë këtë gjë në një afat të shkurtër. Në të njëjtin raport theksohet se si pasojë, numri i punonjësve që do të largohen nga puna e tyre (pasi janë pushuar apo sepse nuk janë më në kushte të favorshme për të punuar) do të rritet.
Mënyra graduale me të cilën po vjen apokalipsi i punës ka natyrisht një anë pozitive. Shoqëria ka më shumë kohë për t’u përgatitur dhe ne nuk do ta gjejmë veten nga një ditë në tjetrën me kutitë në dorë duke u larguar nga puna. Në të njëjtën kohë, pikërisht se pasojat e automatizimit po shfaqen pak nga pak, ka më pak të ngjarë që të krijohet një valë proteste e përgjithshme që të detyrojë politikën të studiojë kundërmasat.
Por ka edhe një aspekt tjetër, po aq të rëndësishëm. Dhe ai është pabarazia në rritje. Një krah robotik, një sistem dixhital apo një algoritëm deep learning kushtojnë më pak se një punonjës; në të njëjtën kohë automatizimi në punë rrit produktivitetin. Këto fitime të mëdha, megjithatë, përfundojnë vetëm në xhepat e drejtuesve të niveleve të larta.
“Po prodhojmë gjithnjë e më shumë të mira me më pak punë dhe torta po bëhet gjithnjë e më e madhe” shpjegon Bessen. “Problemi është se kush po i merr këto feta”. /Monitor.al/
*Andrea Daniele Signorelli
Burimi: Wired