Administrata Tatimore e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar aksion për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve, të cilët nuk kanë përmbush kërkesat ligjore të ATK-së, në pagesën e borxheve në afatin e përcaktuar, si dhe nuk i janë përgjigjur paralajmërimeve të ATK-së, se do të ndërmerren veprimet e mbledhjes së detyrueshme të tatimeve, përmes konfiskimit të pasurisë.
Procedura e konfiskimit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është zhvilluar ndaj tetë (8) tatimpaguesve sipas planit paraprak, ndërsa, vlera e mallrave dhe pasurisë së konfiskuar është 183,778.39 euro.
Si rezultat i shumë aktiviteteve intensive që administrata tatimore është duke ndërmarrë, ka trend pozitiv të zvogëlimit të borxheve, të cilat kanë reflektuar në rritjen e të hyrave.
Që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, ATK ka mbledhur gjithsejt 83.6 milionë euro borxhe, që në krahasim me vitin e kaluar kemi zvogëluar borxhin për 21 milion euro. ATK do të vazhdoj mbledhjen e të gjitha borxheve të pa-paguara, duke u ofruar tatimpaguesve mundësin e lidhjes së marrëveshjeve për pagesë të borxheve sipas procedurave të parapara ligjor. Në të njëjtën kohë ndaj të gjithë tatimpaguesve borxhlinj, të cilët neglizhojnë pagesën e borxheve të tyre, ATK do të aplikojë mbledhjen e detyrueshme për inkasimin e këtyre borxheve, që nënkupton konfiskimin e pasurisë, dhe format tjera detyruese të parapara me ligj.
Përveç konfiskimit të pasurisë, aksioni në fjalë do të shtrihet edhe në mbledhjen e të gjitha gjobave mandatorë, të cilat janë të pa-paguara.
Aksionet e ngjashme do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, andaj të gjithë tatimpaguesit borxhlinj inkurajohen që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore, në mënyrë që të mos bëhen objekt i ndëshkimeve dhe i procedurave të mbledhjes së detyrueshme.
Fokusi i ATK’së vazhdon të mbetet rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, sipas Legjislacionit Tatimor të Kosovës, si dhe trajtimi i borxheve tatimore.