Adresimi i ndotjes së ajrit dhe i kontaminimit të tokës në Kosovë është një sfidë mjedisore që duhet adresuar urgjentisht, sipas dy raporteve mjedisore të Bankës Botërore për Kosovën të prezantuara sot.
Dy raportet analitike, Menaxhimi i Cilësisë së Ajrit në Kosovë dhe Shërimi i Tokës për të Ardhmen e Kosovës, kanë për qëllim kuptimin më të mirë të problemit dhe dhënien e rekomandimeve për zgjidhje.
“Adresimi i ndotjes së ajrit dhe tokës në Kosovë është lartë në agjendën e Bankës Botërore, si dhe të shumë partnerëve tjerë që punojnë në Kosovë”, tha Karin Kemper, Drejtoresha globale për mjedis, resurse atyrore dhe ekonomi të kaltër në Grupin e Bankës Botërore.
“Mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë përkrahjen e veprimeve për ta reduktuar ndotjen e ajrit dhe tokës”, shtoi ajo.
Ndotja e ajrit është një problem serioz shëndetësor global. Në shumicën e zonave në Kosovë nivelet e përllogaritura të koncentrimeve të PM2.5 janë dukshëm mbi vlerën udhëzuese të OBSH-së, ku viset urbane e tejkalojnë këtë vlerë një deri në katër herë.
Rreth 760 persona përballen me vdekje të parakohshme çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit të ambientit. Rreth 90% e tyre vdesin nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sulmi në zemër.
Në Kosovë, si në gjithë Ballkanin Perëndimor, sektori rezidencial është burimi më i madh i ekspozimit ndaj emetimeve të dëmshme PM2.5.
Emetimet në lidhje me transportin paraqesin një burim të madh të ndotjes së ajrit, veçanërisht në viset urbane. Po ashtu edhe kontaminimi i tokës mund të shkaktojë kontaminim serioz mjedisor, dhe probleme serioze shëndetësore.
Lokacionet e kontaminuara në Kosovë janë kryesisht të pa menaxhuara, megjithatë Kosova e ka realizuar një inventarizim fillestar të asaj që i konsideron lokacione posaçërisht të rëndësishme (të quajtura “pika të nxehta”).
Numri i lokacioneve të kontaminuara në Kosovë që kërkojnë sanim llogaritet të jetë rreth 200, kurse kostoja totale e veprimeve në lokacion për ta menaxhuar tërë kontaminimin e mbetur të tokës në Kosovë përllogaritet të jetë 345 miliona € gjatë 20 viteve.
E shkalla e sfidës për menaxhimin e lokacioneve të kontaminuara në Kosovë është e madhe, duke i marrë parasysh resurset në dispozicion, prandaj kërkohet një formë e prioritizimit. Kosova mund ta përdorë një qasje me faza për ta zvogëluar me sukses numrin dhe ndikimet e lokacioneve të kontaminuara për të mirën e popullit dhe të ekonomisë së saj. /Buletini Ekonomik/