Banka Botërore për 10 vite ndihmoi Kosovën me 500 milionë euro

Zyra e Grupit të Bankës Botërore në Kosovë ka shënuar javën e kaluar 20-vjetorin e partneritetit me Kosovën dhe 10-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet e Grupit të Bankës Botërore, me një pritje për zyrtarë të institucioneve, përfaqësues politikë, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të odave tregtare dhe të sektorit privat.

Mysafirëve u janë drejtuar me një fjalë rasti Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller, Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, Drejtori i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Thomas Lubeck, si dhe Ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza.

Me këtë rast, Zëvendës Presidenti Muller u shpreh se: “Kosova dhe partneriteti ynë kanë bërë rrugë të gjatë. Nga rindërtimi dhe normalizimi i jetës pas konfliktit, ne sot po i ndihmojmë Kosovës të kalojë në një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Ne synojmë ta mbështesim këtë qëllim duke e fokusuar mbështetjen tonë në tri fusha në veçanti: përshpejtimin e rritjes së sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, dhe promovimin e energjisë së besueshme. Mund të jemi krenarë me rezultatet që i kemi arritur së bashku, dhe shumë prej jush kanë luajtur rol kyç. Jemi entuziastë për thellimin e partneritetit me autoritetet e reja, që t’i ndihmojmë Kosovës t’i arrijë qëllimet e veta zhvillimore.”

Reklama e sponzorizuar

Kosova u bë anëtare zyrtare e Grupit të Bankës Botërore në qershor 2009 dhe deri më sot Banka Botërore ka siguruar rreth 500 milionë dollarë në grante dhe kredi, duke investuar në njerëzit dhe ekonominë e Kosovës.