Gjysmës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës ende nuk u kanë dalë rrogat për muajin tetor, pasi që kjo kompani, për shkak të detyrimeve që kishte ndaj ATK-së, i pati për disa ditë të bllokuara xhirollogaritë. Punëtorët, megjithatë, shpresojnë që pjesa e mbetur t’i marrin pagat më së largu deri nesër, shkruan Gazeta Express.
Mosmarrëveshjet në mes të Telekomit të Kosovës e Agjencisë Tatimore të Kosovës lidhur me borxhin që kjo kompani e pati, bënë që ATK-ja t’ia bllokojë llogaritë kompanisë publike.
Bllokimi i këtyre llogarive që zgjati për disa ditë, ndikoi që në mes të ATK-së e Telekomit të arrihet një marrëveshje, që kompania publike t’i lajë detyrimet që ka ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me këste për 12 muaj.
Për t’u zhbllokuar llogaritë PTK-ja ia ka larë këstin e parë ATK-së. Megjithatë, pavarësisht arritjes së marrëveshjes, punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës ende nuk i kanë marrë pagat të gjithë.
Nga Telekomi i Kosovës, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë, Bedri Istrefi, ka thënë se pagat i kanë marrë vetëm një kategori e caktuar.
“Jo s’kanë dalë, vetëm gradës 1-8 pjesa tjetër jemi duke punu, jemi duke tentu me u mundu me i ekzekutua. Prej gradës 9-18 nuk kanë dalë pagat, besojmë që nesër arrijmë deri në gradën 12. 630 mijë euro ATK-ja na ka marrë, 5 ditë para përfundimit të muajit për këtë arsye është e vështirë që të bëhet pagesë menjëherë për të gjithë stafin”, ka thënë Istrefi në një përgjigje për Gazetën Express.
Se nuk u kanë dalë ende pagat një pjese të punëtorëve e ka konfirmuar edhe Sindikata e Pavarur e PTK-së.
“Për shkak se ATK na i ka bllokuar llogaritë në kohën e pagave dhe i ka marrë nje pjesë të madhe të mjeteve nga llogaria këtë muaj nuk janë marrë pagat komplet për të gjithë punëtorët me një datë. Nga grada 1-8 ku janë fuqia punëtore pagat janë marrë me datën 1 nëntor, ndërsa pjesa tjetër pritet sot ose nesër pasi që edhe me kontratë të punës pagat merren nga data 1 deri në datën 5”, ka thënë kreu i kësaj Sindikate, Lamih Balaj, në një përgjigje për Gazetën Express.
Telekomi i Kosovës dhe ATK-ja kanë arritur javën e kaluar marrëveshje për formën e shlyerjes së borxhit, që rezultoi me zhbllokim të llogarive bankare të Telekomit, që evitonte mundësinë që punëtorët e kësaj kompanie të mbesin pa pagat e muajit tetor.
Në total, Telekomi i Kosovës i ka borxh Administratës Tatimore të Kosovës më shumë se 2.8 milionë euro, për çka u arrit marrëveshje që ky obligim të kryhet me pagesë përmes kësteve në muajt e ardhshëm.
Përveç këtij borxhi, Telekomi i Kosovës ka edhe një obligim tjetër financiar në vlerë prej rreth 26 milionë euro ndaj Dardafon-it.
Ky borxh që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë “Z-Mobile”, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.
Për këtë arsye, Telekomi ka shkëputur kontratën me kompaninë Z-Mobile, të cilën e kishte vlerësuar si shumë të dëmshme. Kjo kontratë ishte nënshkruar para 10 vjetësh.
Zyrtarë të Telekomit edhe me këtë kompani kanë bërë përpjekje që obligimet financiare t’i paguajnë përmes kësteve mujore, por kompania private Dardafon, nuk ka pranuar këtë kërkesë, kështu që lënda është në gjykatë.
Telekomi i Kosovës kishte kaluar në krizë të thellë financiare për një kohë për shkak të borxheve të shumta të akumuluara.
Pas shkëputjes së kontratës me Z-Mobile dhe pagesës së borxheve të shumta, Telekomin e Kosovës e pret edhe një fazë tjetër, ajo e privatizimit.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi dhe dikur njihej si një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në vend.