Digjet fabrika e parketit në Obrançë të Podujevës

Sa hap e mbyll sytë, Sabit Zeneli nga fshati Obrançë të Podujevës, nuk e ka më biznesin e tij familjar, që ishte fabrikë për prodhimin e parketit e laminatit. Zjarrit që ra mbrëmë i mjaftuan vetëm disa minuta, që atij t`i shkaktohet dëm prej 300 mijë eurosh. Përgjegjës për këtë, pronari e bën KEDS-in, pasi në faktet që ka, siguron se shkëndijat e zjarrit erdhën nga rryma. Të kontaktuar nga RTK, në KEDS japin sqarimin për raste të tilla.

Po e bëjnë pastrimin e objektit, pasi u bë shkrumb e hi një ditë më parë.

Fabrika e parketit, sipas pronarit Sabit Zeneli, u dogj shumë shpejt në orët e hershme të mëngjesit të së premtes. Ai është i bindur se fabrika iu dogj nga kablloja e rrymës, e vendosur mbi kulmin e objektit. 

Reklama e sponzorizuar

 “Zjarri ka qenë i shpejt, zjarrfikësit erdhën për 11 min po nuk mundem me shpetu. Sot nisem pastrimin e duhet me ju kthy punës”, thotë pronari i Fabrikës “Lidhja Parket”.

Ai thotë se do të kërkojë nga KEDS-si dëmshpërblim për dëmet që i janë shkaktuar biznesit të tij. “Po nga KEDS po, sepse dëmi na është bërë nga ta. Kanë qenë njësia për krime të rënda, e kanë vërtetu që u dogj nga rryma. Kam kontrata me kompani me duhet me riparu fabrikën e me nis punën….”

Zyrtarët e KEDS-it thonë se janë në dijeni të këtij rasti dhe do të hulumtojnë pse ka ndodhur ky rast.

“KEDS nuk mund të konstatojë nga ka ardhur djegia, meqë raporti nuk është përpiluar për shkak të kohës së shkurtër. Ne i lusim edhe palët e tjera të përfshira që të mos konstatojnë diçka, duke i përfshirë edhe mediat, pa një raport final nga ekspertët”, Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.

Por, edhe nëse ka ndodhur si pasojë e energjisë elektrike, Buzhala thotë se duhet të hulumtohet se në cilën pikë ka ndodhur.

“KEDS sqaron se përgjegjësia e kompanisë përfundon te pika matëse. Pra, instalimet e brendshme janë përgjegjësi e konsumatorit”.

Policia e ka konfirmuar rastin, në raportin 24 orësh. Dëmet e shkaktuara, pronari Zeneli thotë se janë rreth 300 mijë euro. /RTKlive/