Katër ditë pasi publiku u informua se Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka vendosur për ta shtrenjtoje çmimin për regjistrimin e automjeteve, i njëjti institucion është sot në festë. BQK po feston sot 20-vjetorin, por katër ditë më parë mori vendimin që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në xhepat e qytetarëve të Kosovës.
Nga 130 euro sa qytetarët e Kosovës kishin paguar për sigurimin e automjeteve, për shkak të një vendimi të BQK-së qytetarët do të paguajnë 164 euro, që i bie 34 euro më shumë sesa që kishin paguar ditë më parë.
“Vendimi i marrë më 1 nëntor nga BQK i është dërguar kompanive të sigurimeve dhe ka hyrë në fuqi nga sot për rishikimin e tarifave të sigurimit për kategoritë e automjeteve për pasagjerë”, thuhej në raportimin për shtrenjtimin e regjistrimit të veturave.
Ndaj këtij vendimi për shtrenjtimin e sigurimeve, janë shprehur të shqetësuar edhe drejtues të Odës së Afarizmit të Kosovës, të cilët konsiderojnë se rritja e tarifave në regjistrimin e makinave për 26% me arsyetimin e falimentimit të një kompanie sigurimi nuk është arsyetim. Sipas tyre, BQK nuk duhet t’i vihet në barrë biznesit dhe qytetarëve.
Ndërsa, për të shtunën, më 23 nëntor janë paralajmëruar dy protesta kundër rritjes së çmimit për sigurimin e automjeteve në Prishtinë.
BQK-ja më 1 nëntor kishte marrë vendim që tarifat e sigurimit për kategoritë e automjeteve për pasagjerë të rriten për 26 për qind.
Ky institucion sot është duke festuar 20-vjetorin e themelimit. /Sinjali/