Ligji për pagat publike në Kosovë, sipas zëvendësdrejtorit menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, duhet të zbatohet në atë mënyrë që të respektohet tavani ligjor mbi ngritjen e pagës në sektorin publik.
Në të kundërtën, sipas tij, ngritja e madhe dhe e paprititur e pagave në këtë sektor prek negativisht konkurrencën e jashtme të Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, Zhang ka thënë se edhe ngritja e transfereve buxhetore, si pensionimet e parakohshme për sektorë specifikë dhe ngritja në përfitimet sociale të pafokusuara përbëjnë rrezik, pasi mund të zvogëlojnë hapësirën për shpenzimet e nevojshme në arsim, shëndetësi dhe në infrastrukturë.
Ka thënë se politikat duhet të përqendrohen në avancimin e reformave strukturore për të mbyllur boshllëqet e konsiderueshme njerëzore dhe të kapitalit fizik, duke investuar në arsim, shëndetësi dhe në infrastrukturë dhe për të fuqizuar qeverisjen dhe klimën e biznesit.